Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shqiptar, Fatos Klosi, në një intervistë për emisionin “Udhëve” në RTK thotë se kishte qeshur kur kishte dëgjuar për herë të parë për sajimin e aferës së transplantimit të organeve.
“Unë herët kam dëgjuar natyrisht, por kam qeshur me veten dhe thashë s’po lënë gjë pa thënë vetëm që të hidhet baltë mbi UÇK dhe luftën çlirimtare”, ka thënë Klosi.
Ai ka thënë se të ndodhte një gjë e tillë do të ishte një çmenduri për kohën, sepse Shqipëria ishte bërë një qendër ku po ndodhte një ngjarje praktikisht e pazakontë dhe kishte mbledhur gazetarët e mediave më renome botërore andaj edhe s’kishte asnjë garanci që një gjë e tillë të mos merrej vesh.
“Të sajohen gjëra të tilla që janë bërë operacione dhe janë marrë organe në kulmin e një lufte të ngatërruar, të ndodhte kjo për UÇK ishte një çmenduri nëse do t’iu shkonte mendja. Në Shqipëri ishin gazetarët e gazetave më të rëndësishme të botës, pasi ishte bërë një qëndër ku po ndodhte një ngjarje praktikisht e pazakontë; një luftë në mes të Evropës, ku po implikohej NATO, dhe UÇK të bëj gafa të tilla që të marrë organe, do të ishte çmenduri nëse do t’íu shkonte në mëndje”, ka thënë Klosi.
Ky sajim, sipas ish shefit të SHISH-it, është aq i mbrapshtë sa që nuk të lejon të vësh gishtin mbi një burim të mundshëm. “Edhe për shërbimin serb do të më vinte keq nëse e ka menduar këtë gjë, paska shku shumë larg, ka hy në të thella, e ka turpëruar veten, edhe për ndonjë grup mediatik me të cilin ka bashkëpunuar…”, është shprehur në emisionin Udhëve në RTK, ish kreu i SHISH-it, Fatos Klosi.
Poga: Trafikimi i organeve një sajesë e shërbimeve sekrete serbe
Se e gjithë afera e shtëpisë së verdhë ishte një sajesë, e thotë në një intervistë për emsionin “Udhëve” në RTK ish shefi i informacionit në shërbimin ushtarak shqiptar Sokol Poga. Ai ka thënë se ishte një vendim i ministrave të kohës që gjatë viteve 1998 dhe 1999 aeroportet dhe portet detare të kalojnë në menaxhim të NATO-s.
Dhe, thotë Poga, a do të ishte e lehtë të kaloje portin me organe, për t’i kaluar për transplantim?!.
“Përveç kësaj në Burrel ishte edhe batalioni Atlantiku, që stërvitej jo larg Shtëpisë së Verdhë. Të pranishëm aty ishin edhe shërbimet amerikane, të cilët në asnjë rast nuk morën asnjë të dhënë se në këtë shtëpi mund të kishte dyshime të tilla”, ka thënë Poga, sipas të cilit, gjithë kjo ishte një artific, që bazohej në dëshmitarë të rremë e të paguar.
Edhe Adem Shehu, ish komandant në Brigadën 153 në Zonën Operative të Llapit, thotë se nuk kishte as kushte e as mundësi të ndodhte një gjë e tillë, pasi UÇK nuk kishte as kuadro mjekësorë për gjëra shumë më të thjeshta e lëre më të flitet për transplantimet.
Fetahu: Transplantimi i organeve kërkon procedurë speficike
Ndërkohë, urologu kosovar Avni Fetahu, ka thënë se transplantimi i organeve është metodë që kërkon disa kushte shumë specifike. “Është prorcedurë që duhet bërë nga një grup i madh i ekspertëve, kirurgë, vaskularë… të bëhet imunizimi i indeve, janë procedura aq të mëdha sa që kërkon kohë. Kjo lypë një procedurë të posaçme, për arsye se nxjerrja e një organi të shëndoshë duhet të ruhet në tretje dhe temperatura shumë të ulëta, në manitol dhe furnizuar me elektrolitë të mjaftueshëm, ashtu siç është një organ në kushte fiziologjike”, ka thënë Fetahu, sipas të cilit që transplanti të jetë i suksesshëm duhet kryer maksimumi nga 48-72 orë nga koha e dhurimit nga donatori. (RTK)