Klubet e Premierë Ligës do të votojnë për fazën tjetër të “Projektit Rifillimi”

Prishtinë | 26 Maj 2020 | 18:41 | Nga Ekonomia Online

Klubet e Premier Leagues do të votojnë të mërkurën për atë se a do të lëvizin në fazën e dytë të “Projektit Rifillimi” ndërkohë që po intensifikohen përpjekjet për t’u kthyer në aksion të plotë.

Klubet kanë filluar stërvitjet në grupe të vogla, javën e kaluar, nën masa të rrepta dhe pa kontakt. Takimi i së mërkurës hap dyert për kthim gradual drejtë stërvitjes me kontakt.

Faza e dytë, nëse aprovohet, do të lejojë deri në 10 lojtarë që të ushtrojnë së bashku dhe do të lehtësojë masat për kufizim të kohës për stërvitje. Po ashtu do të lejojë lojtarët që të qëndrojnë më afër.

Shpresohet që në fazën e tretë klubet të afrohen me formën tipike të stërvitjeve, me kthimin e ndërhyrjeve. Sipas Reuters, Premier League është konsultuar me lojtarë dhe trajnerë të martën, ndërsa të mërkurën mbahet votimi për hapin e ardhshëm.

Raundi i dytë i testimeve ka dëshmuar që dy raste janë pozitiv për koronavirus. Bournemouthi ka thënë se një lojtar i kësaj skuadre është vetëizoluar. Në valën e parë të testimeve ishin gjashtë raste pozitive.

Premier League është pezulluar në mes të marsit, por qeveria ka dhënë leje që sporti elitar të vazhdojë më 1 qershor, duke përfshirë futbollin.

Liga ka përmendur 12 qershorin si datë të mundshme për rifillim, por tashmë pritet që edicioni të vazhdojë shumë më vonë në muajin e ardhshëm.

Të ngjashme