Klubeve të Ligës Premier iu është dhënë leja që të zhvillojnë ndeshje miqësore para rifillimit të sezonit që do të ndodhë më 17 qershor.
Sipas The Telegraph, megjithatë klubet do të duhet t’i zbatojnë një sërë udhëzimesh strikte.
Një prej tyre është mungesa e gjyqtarëve, ndërsa drejtësinë do ta ndajë stafi trajnues, ndërsa nuk u lejohet udhëtimi për më shumë se 90 minuta. Po ashtu, lojtarët duhet të udhëtojnë për ndeshje me veturat e tyre.
Miqësoret do të zhvillohen ose në stadiumet e klubeve ose në fushën stërvitore, ku do të bëhet një ekzaminim i plotë i rrezikut para fillimit.
Po ashtu, secili lojtar i përfshirë duhet të ketë dalë negativ në testet e fundit të realizuara.
Ky vendim do t’u shërbejë shumë skuadrave për t’u përgatitur sa më mirë para rinisjes së sezonit që u ndërpre në muajin mars si pasojë e pandemisë së coronavirusit.
Dy ndeshjet e para të rifillimit të sezonit 2019/2020 në Ligën Premier zhvillohen ndërmjet Manchester City dhe Arsenalit, dhe Sheffield Unitedit më Aston Villan më 17 qershor. Pastaj, në fundjavën e 20 qershorit, zhvillohet xhiroja e plotë e kampionatit anglez.