Klubet e Premierligës kanë marrë leje për të zhvilluar ndeshje miqësore para rinisjes së ligës elitare të futbollit në Angli më vonë këtë muaj.
Premierliga ka qenë e suspenduar që nga marsi për shkak të përhapjes së virusit Covid-19 në botë, mirëpo do të rinisë sërish më 17 qershor.
Për të qenë gati për këtë rinisje të sezonit, klubet janë duke menduar të zhvillojnë ndeshje miqësore ose në stadiumet e tyre, ose në kampet stërvitore para 17 qershorit.
Premierliga ua vuri disa kufizime për ta lejuar zhvillimin e ndeshjeve miqësore dhe klubet i pranuan ato, sipas gazetës britanike The Telegraph.
Klubet do ta kenë të ndaluar të udhëtojnë më shumë se 90 minuta larg stadiumit të vet për këto ndeshje, si dhe lojtarët duhet të udhëtojnë më veturat e tyre personale. Për më tepër, ndeshjet do të referohen nga stafi i trajnerëve dhe jo nga gjyqtarë zyrtarë.
Secili stadium apo kamp stërvitor do të vlerësohet se a është mjaftueshëm i sigurt për të zhvilluar ndeshje aty, përderisa klubet do të lejohen t’i marrin me vete vetëm lojtarët që kanë dalë negativë në testet e fundit për Covid-19.
Disa klube të Premierligës kanë kërkuar t’u lejohet të luajnë kundër klubeve të Championshipit, nivelit të dytë të futbollit në Angli, mirëpo këto të fundit s’kanë marrë ende leje nga liga për të zhvilluar ndeshje të tilla. /Gazeta Express/