Ka vazhduar të rritet numri i klubeve që po kërkojnë të testohen të gjithë lojtarët para rifillimit të stinorit të Superligës e Kosovës në futboll. Reagimet kanë filluar pasi të mërkurën është njoftuar se futbollisti i Dritës, Izair Emini, ka rezultuar pozitiv me koronavirus.
Po të mërkurën Drita bëri thirrje për testim të gjithë pjesëmarrësve, ndërsa thirrjeve iu bashkuan edhe shumë klube tjera, përfshirë edhe lideri i Superligës, KF Ballkani.
Ballkani ka thënë se përgjegjësinë për çdo gjë duhet ta marrin ata që kanë vendosur për rifillimin e futbollit.
“Lidhur me këtë rast sërish u bëjmë thirrje organeve kompetente – Ministrisë së Shëndetësisë dhe FFK-së – që urgjentisht të bëjnë testimin e gjithë futbollistëve dhe stafit të përfshirë në procesin stërvitor, gjithashtu kërkojmë që çdo herë pas ndeshjeve zyrtare të bëhen ri-testimet për të evituar ndonjë fatkeqësi më të madhe”, është thënë ndër të tjera në komunikatën e Ballkanit.
Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, ka thënë se mund të ketë testime para rifillimit të kampionatit në qershor. Mirëpo, për këtë do të vendosë Ministria e Shëndetësisë.
“Para se të filloj kampionati besoj se do të ketë testime, por gjithçka vendoset në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtare të Shëndetësisë Publike. Në takim e kemi diskutuar këtë mundësi, por ende nuk ka një vend për këtë”, ka thënë Salihu për KOHËN.