Klubet pritet t’i nisin javën e ardhshme stërvitjet në grupe të vogla

Prishtinë | 28 Pri 2020 | 08:41 | Nga Ekonomia Online

Për mirëmbajtësit e stadiumit “Fadil Vokrri”, të hënën, nuk kishte ditë pushimi. Ashtu si edhe ditëve të tjera, ata po kryenin disa punë që fusha të jetë gati për lojë, kurdo që do të merret vendimi për lejimin e zhvillimit të ndeshjeve të futbollit. Gjendja e fushës nga jashtë rrethojave dukej në nivel shumë të mirë.

Në gjendje të mirë nga fotot e publikuara duken edhe fushat e futbollit nëpër stadiumet e qyteteve të tjera të Kosovës.

Këto fusha pritet të shkelen nga futbollistët gjatë javës së ardhshme, pas më shumë se një muaji për shkak të pezullimit të aktiviteteve sportive nga përhapja e pandemisë COVID-19.

Kërkesën për t’ua lejuar punën në grupe të vogla nga java e ardhshme pritet ta bëjë Federata e Futbollit e Kosovës (FFK). Sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, ka thënë se gjatë këtyre ditëve kur edhe do të mbajë mbledhjen Komiteti Ekzekutiv, do të dalin me disa sqarime. Një kërkesë të mundshme të FFK-së, në drejtim të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministrisë së Shëndetësisë, që të lejohet puna në grupe të vogla, do ta mbështesin edhe klubet.

“Gjatë kësaj jave do ta mbajnë mbledhjen anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, ku edhe do të dalim me qëndrime dhe kërkesa të reja. Besoj se do të vendosen disa data se kur mund të fillojmë me përgatitje e më pas me ndeshje. Ne po mendojmë që kah mesi i muajit të ardhshëm t’ua japim lejen që të përgatiten maksimalisht klubet dhe kah fundi i majit të fillojmë me ndeshje. Por, për të gjitha do të diskutojmë gjatë mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv”, ka thënë Salihu, të hënën për gazetën. “Do të bisedojmë edhe me ministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që t’ua lejojë klubeve që prej javës së ardhshme t’i lejojë klubet të punojnë në grupe të vogla, duke e ruajtur distancën sociale dhe po ashtu masat e tjera parandaluese. Klubet, gjithashtu, do ta kenë obligim që t’i dezinfektojnë hapësirat ku do të stërviten. Por, për të gjitha këto do të dalim me qëndrim pas mbledhjes”.

Hasani: FFK-ja më 25 maj duhet ta dorëzojë planin e aktiviteteve në UEFA

Megjithatë, sekretari Salihu ka thënë se për kohën e rifillimit të kampionateve do të vendoset pas rekomandimeve që do t’i marrin nga Instituti i Shëndetësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Aktivitetet sportive në vend janë pezulluar nga 13 marsi, kur edhe u paraqitën rastet e para të personave të infektuar me koronavirus.

Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) e ka caktuar 19-20 korrikun si datë të fundit për përfundimin e kampionateve në Evropë, përfshirë këtu edhe Superligën e Kosovës në futboll. Në FFK, po synojnë përfundimin e rregullt të kampionatit. Por, nuk përjashtohet mundësia që kampionati të përfundojë edhe me plejof.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme