Klubi i Prodhuesve të Kosovës reagon kundër propozimit të kuvendit komunal në Ferizaj për miratimin e Rregullores Komunale për përcaktimin e orarit të punës së veprimtarive afariste dhe veprimtarive të tjera në Komunën e Ferizajt. Ku me anë të kësaj rregullore përfshihen të gjitha llojet e veprimtarive dhe përcaktohet orari i punës së tyre, duke vendosur që dita e diele të jetë pushim.
Propozimi për të miratuar një rregullore të tillë nuk është aspak i mirëpritur nga bizneset që operojnë edhe të dielave, pasi që ky vendim në radhë të parë është në kundërshtim me ligjin e punës që ushtrohet në Republikën e Kosovës, e po ashtu kjo rregullore shkakton humbje të mëdha për bizneset. Humbje këto që do të reflektohen në uljen e kapaciteteve të prodhimit, dhe rrjedhimisht ndikon në vetë vendet e punës për këta punëtorë.
Kjo rregullore do të ketë vetëm efekte negative dhe vështirëson klimën e të bërit biznes në vendin tonë, ku së pari do të preken investimet kapitale dhe do të krijohet rreziku që investitorët të mos e shohin qytetin e Ferizajt si të favorshëm për investim, pasi që ulet niveli i qarkullimit buxhetor dhe vëmendja mund të shkojë tek shtetet fqinje.
Prandaj, para marrjes së vendimeve të tilla, është mirë që paraprakisht të konsultohet edhe sektori privat, ku do të merren parasysh edhe kërkesat e tij. Ku dihet që rritja dhe zhvillimi i sektorit privat është një nga komponentët esencial për zhvillimin e gjithmbarshëm socio-ekonomik të vendit tonë.