Astrit Panxha nga Klubi i Prodhuesve së bashku me Astrit Rexhaj nga Kllasteri i Bizneseve të Industrisë së Metalit dhe Energjisë së Ripërtëritshme, në kuadër të Partneritetit për Zhvillim Ekonomik u takuan sot me kryetarin e Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, Ramush Haradinaj.
Gjatë takimit u bisedua mbi gjendjen e sektorit të prodhimit në përgjithësi, ku edhe e informuan për sukseset e rritjes së eksporteve të produkteve vendore. Mirëpo në fokus të veçantë gjatë këtij takimi ishte gjendja e prodhuesve dhe furnizimi me energji, ku me këtë rast Partneriteti për Zhvillim Ekonomik kërkoi nga ky takim mbështetjen e z.Haradinaj për shtyrjen e vendimit të ZRrE-së (Zyrës së Rregullatorit të Energjisë) për liberalizimin e tregut të energjisë.
Duke pasur parasysh se në Kosovë ende nuk janë krijuar kushtet për liberalizim të tregut dhe ku furnizim me energji elektrike ende ofrohet nga vetëm një operator, Partneriteti për Zhvillim kërkon të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për shtyrjen e serishme të këtij afati deri në krijimin e rrethanave të cilat do të mundësonin liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.
Kjo për shkak se si prodhuesit vendor, por edhe konsumatorët komercial në mungesë të konkurrencës për ofrimin e energjisë, përballen me rrethana të cilat e ulin fuqinë e tyre negociuse si konsumatorë, kështu duke paguar potencialisht për tarifa të energjisë elektrike më të larta se mesatarja e tarifave të rregulluara. Kjo gjendje shkel parimet e ekonomisë së tregut me konkurrencë të lirë, që është bazë e rregullimit ekonomik të Republikës së Kosovës, dhe dëmton rëndë konsumatorin e veçanërisht prodhuesin vendor.
Haradinaj tregoi që ju ka qëndruar gjithnjë pranë prodhuesve dhe do të vazhdoj të përkrah në vazhdimësi ata, si në këtë çështje por edhe në iniciativa tjera të cilat janë në të mirën e përgjithshme të prodhuesve.
Partneritetit për Zhvillim Ekonomik është iniciativë e Klubit të Prodhuesve të Kosovës së bashku me Shoqatën për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit, Shoqatën e Përpunuesve të Drurit të Kosovës, Kllasterin e Bizneseve të Industrisë së Metalit dhe Energjisë së Ripërtëritshme, Shoqatën Kosovare për Marketing të Veshmbathjeve, dhe Dhomën Ekonomike të Grave të Kosovës.