KMDLNj: Bashkësia ndërkombëtare, penguesi më i madh i zbardhjes së fatit të të pagjeturve

Prishtinë | 28 Mar 2023 | 13:26 | Nga Ekonomia Online

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar për trajtimin e të pagjeturve në marrëveshjen e Ohrit, për të cilën kanë thënë se nuk e trajton, as me urgjencë e as me seriozitet këtë çështje.

Në një komunikatë për medie, KMDLNj shkruan se ky proces është trajtuar që nga fillimi gabimisht, e se në vend se të trajtohej si çështje e të drejtave të njeriut, ky proces u politizua duke u keq-përdorur për qëllime politike.

Ndërsa, si penguesin më të madh për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur e kanë cilësuar bashkësinë ndërkombëtare, e cila i “është përshtatur oportunitetit politik”.

“Madje kanë bërë eksperimente me mbetjet mortore”, thuhet në këtë komunikatë.

“Edhe kjo “marrëveshje“ e Ohrit, çështjen e të pagjeturve nuk e trajton, as me urgjencë e as me seriozitet por e ka si pjesë thuaja fakultative të kësaj “marrëveshjeje“. Kjo “marrëveshje“ mund dhe edhe do t’i rrisë shpresat e familjarëve që  me ankth presin ndonjë informatë për anëtarët e familjes që janë në listën e të pagjeturve  mirëpo aty nuk ka asgjë detyruese”.

Komunikata e plotë:

Me ndërmjatësimin – presionin ndërkombëtar në Ohër u arritë një “marrëveshje“ e panënshkruar, siç thuhet, midis Prishtinës dhe Beogradit ku, ndër të tjera është përfshirë edhe çështja e të pagjeturve që ka qenë kërkesë e vazhdueshme e familjarëve dhe organizatave që përfaqësojnë të pagjeturit. Edhe më parë, nën ndërmjetësimin e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar kishte takime midis delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë për çështjen e të pagjeturve por se nuk kishte lëvizje pozitive për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur. Thuaja kjo çështje kishte vendnumëruar dhe angazhimi për fatin e të pagjeturve mbeti kryesisht te familjarët, qoftë si përpjekje individuale, qoftë përmes organizimit në shoqata për të pagjetur të cilat nuk e kishin as përsëafërmi përkrahjen institucionale për të zhvilluar aktivitete që, në vendet normale janë përgjegjësi e shtetit dhe organeve të ndjekjes.

Që nga fillimi procesi për të pagjetur u trajtua gabimisht, në vend se të trajtohet si çështje e të drejtave të njeriut, ky proces u politizua duke u keq-përdorur për qëllime politike, sidomos gjatë fushatave zgjedhore dhe momenteve të ndjeshme siç ishte formimi apo mbijetesa e qeverive. Pastaj, gabimi i madh që u bë në fillim ishte ndarja e të pagjeturve sipas kriterit etnik sikur edhe kërkesa e informatave për të pagjeturit, gjithashtu sipas parimit etnik dhe jo si e drejtë e pakundërshtueshme e të drejtave të njeriut për zbardhjen e fatit për të gjithë personat e pagjetur pavarësisht përkatësisë etnike besimit, moshës, gjinisë, bindjeve politike, përkatësisë kulturore etj.

Bashkësia ndërkombëtare ka qenë penguesi më i madh  i zbardhjes së fatit të personave të pagjetur duke iu përshtatur oportunitetit politik; mos ndërmerrë asnjë veprim që e rrezikon paqen e brishtë në Kosovë dhe të mos hidhërohet Serbia. Madje kanë bërë eksperimente me mbetjet mortore, ende pa u identifikuar nga një kriminel mjekoligjorë, Pablo Hoze Barajabar që i vodhi mostrat. Në vend se ndërkombëtarët të bonin presion menjëherë pas përfundimit të luftës, çështjen e të pagjeturve e konservuan duke ia lënë harresës së kohës.

Edhe kjo “marrëveshje“ e Ohrit, çështjen e të pagjeturve nuk e trajton, as me urgjencë e as me seriozitet por e ka si pjesë thuaja fakultative të kësaj “marrëveshjeje“. Kjo “marrëveshje“ mund dhe edhe do t’i rrisë shpresat e familjarëve që  me ankth presin ndonjë informatë për anëtarët e familjes që janë në listën e të pagjeturve  mirëpo aty nuk ka asgjë detyruese, as sa i përket afatit e as masave ndaj atyre që nuk pranojnë të japin informata për fatin e të pagjeturve e që, sipas KMDLNj –ë zbehë skajshmërisht mundësitë për zgjidhjen e kësaj çështjeje shumë të ndjeshme për familjarët e të pagjeturve në Kosovë dhe në Serbi.

Aktualisht janë mbi 1600 persona që janë në listën e të pagjeturve për të cilët nuk ka asnjë informatë për fatin e tyre e që kjo listë për një kohë të gjatë nuk ka pësuar asnjë ndryshim. Pala kosovare me të drejtë kërkon infomata nga Serbia për fatin e të pagjeturve kosovarë, shqiptarë dhe joserbë sikur që edhe pala serbe kërkon, gjithashtu me të drejtë informata për të zhdukurit serbë numri i të cilëve nuk është i vogël. Këtu edhe qëndron problemi sepse askush nuk ofron informata për të pagjeturit nëse i nënshtrohet përgjegjësisë penale për këtë.

Në kohën kur po flitet për njëfarë normalizimi midis Kosovës dhe Serbisë, është mashtrim të pritet që me seriozitet do të ketë qasje për zbardhje të fatit të personave të pagjetur, si nga palët bashkëbiseduese e në veçanti jo nga bashkësia ndërkombëtare.  Kapitulli për të pagjeturit i kësaj “marrëveshjeje“ të imponuar, nuk i është bërë i ditur opinionit e sidomos jo nëse është i përfshirë në aneks dhe nëse është i afatizuar apo kushtëzuar me sanksione ndaj palës jobashkëpunuese.  Në raportet jobashkëpunuese siç janë midis Kosovës dhe Serbisë  dhe me rolin e strucit të bashkësisë ndërkombëtare, KMDLNj –ë nuk beson se do të ketë lëvizje cilësore në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur dhe se bartësitë e posteve institucionale nuk do të duhej të rrisin këto shpresa për faktin se thuaja asgjë nuk është në duart e tyre, nuk i pyet askush për asgjë dhe se nuk mund t’i adresojnë kërkesat vetëm në një adresë pa qenë në gjendje që edhe vet të ofrojnë informacione për të pagjeturit. KMDLNj –ë nuk bënë asnjë dallim midis personave të pagjetur, as në baza etnike, moshore, gjinore, besimit, bindjeve politike, kulturave që i përkasin  por kërkon që kjo çështje të trajtohet ekskluzivisht nga pozita e të drejtave të njeriut përkatësisht sipas parimit të universalitetit të këtyre të drejtave që e garantojnë Deklarata e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Konventa Evropiane për të Drejtat e njeriut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës. KMDLNj –ë kërkon drejtësi për familjet e të pagjeturve dhe përgjegjësi për ata që kanë planifikuar, nuk e kanë penguar apo kanë zbatuar aksionet policore dhe ushtarake e që për pasojë kanë zhdukjen e mbi 1600 personave që aktualisht janë në listën e të pagjeturve.

Në fund, KMDLNj –ë e shtron një pyetje, fillimisht nga aspekti i të drejtave të njeriut, atij ligjor por edhe moral; pse do të duhej të kishte përparësi absolute përmes kushtëzimit dhe shantazhimit formimi i Asociacionit të komunave serbe në Kosovë, para një zgjidhjeje të një çështjeje  krejtësisht njerëzore siç është zbardhje e fatit të personave të pagjetur  e që është interes i të gjithëve!

Të ngjashme