KMDLNj: Bllokimi i fondeve ka lënë Prishtinën pa transport publik, kërkojmë hetim nga policia dhe prokuroria

Prishtinë | 26 Nën 2025 | 16:18 | Nga Ekonomia Online

Që tre ditë, qytetarët e Prishtinës kanë mbetur pa shërbime të transportit publik dhe atij privat për shkak të grevës së transportuesve, të cilët kërkojnë shlyerjen e detyrimeve financiare nga komuna. Sipas kryetarit të Prishtinës, Ministria e Financave ka bllokuar mbi 35 milionë euro të buxhetit të kryeqytetit, duke pamundësuar pagesat ndaj operatorëve të transportit.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) vlerëson se kjo situatë ka shkaktuar pasoja të rënda për qytetarët, përfshirë të moshuarit, nxënësit, studentët dhe të punësuarit që nuk kanë arritur të respektojnë orarin e punës apo detyrimet e përditshme.

Në të njëjtën kohë, rreth 700 punonjës të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) thuhet se kanë mbetur pa paga për gati tre muaj, gjë që, sipas KMDLNj-së, po rrezikon funksionimin e transmetuesit publik dhe mirëqenien e familjeve të punëtorëve.

KMDLNj përkrah grevën e transportuesve dhe të punonjësve të RTK-së, duke e konsideruar mosshlyerjen e kompensimeve si shkelje të të drejtave të njeriut.

Organizata kërkon nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit që të hetojnë rastet, pasi sipas tyre qytetarët po përballen me kufizime serioze të së drejtës për lëvizje, arsim, punë, shëndet dhe informim.

Të ngjashme