Përfaqësues të KMDLNj-së me datë 01.10.2019 zyrtarizuan bashkëpunimin me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” duke nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi . Marrëveshja u nënshkrua nga rektori i Universitetit të Prishtinës , Marjan Dema dhe Drejtori i KMDLNj –së, Behxhet Sh. Shala.
KMDLNJ-ja do të marrë në punë praktike studentë të Universitetit të Prishtinës çdo tre muaj prej të cilëve: studentë të Fakultetit Juridik, studentë të Fakultetit Filologjik; studentë të Fakultetit Filozofik dhe studentë të fakulteteve të tjera, sipas interesimit të studentëve. Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe KMDLNJ-ja, përmes një komisioni të përbashkët, e bëjnë përzgjedhjen e studentëve në çdo tre muaj.
Me rastin e përzgjedhjes së studentëve për punë praktike vullnetare, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe KMDLNj-ja do të marrin parasysh notën mesatare të studentëve. Angazhimi në punë praktike është vullnetar, respektivisht pa pagesë. Në fund të periudhës së angazhimit, KMDLNJ-ja bënë vlerësimin e punës së praktikantëve dhe, bazuar në këtë vlerësim, lëshon certifikatë për punën praktike të kryer nga studentët.
Të dy palët u shprehën të kënaqur që po e nënshkruajnë këtë marrëveshje, për më tepër me rastin e 22-vjetorit të protestave të studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe ditën kur fillon viti i ri akademik. Edhe para nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit , KMDLNj ka ofruar mundësi që studentët e Universitetit të Prishtinës dhe kolegjeve private të akredituara , ta bëjnë punën praktike sikur edhe ta shfrytëzojnë arkivin për punë kërkimore.