KMDLNj-ë e ka konsideruar si tallje për Policinë dhe shtetin e Kosovës, refuzimin e lirimit me kusht të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po mbahen në Hagë. Një nga arsyet që Specialja përdorë në këtë refuzim lidhet ndërhyrja në procesin gjyqësor në Kosovë, ku u shfaqën edhe akuza se Agjencia Kosovare e Inteligjencës kishte dy agjentë të paraqitur si dëshmitarë për të dhënë dëshmi të fabrikuara.
Përmes një reagimi për medie, KMDLNj, pret që Gjykata Speciale të merr një vendim në përputhje me standardet minimale për të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria dhe në përputhje me kërkesat që i ka bërë Policisë së Kosovës dhe të injorojë kërkesat e Prokurorit të Specializuar.
Komunikata e plotë:
Deri më tani, të gjitha kërkesat për mbrojtje në liri apo zëvendësimin e masës së paraburgimit me një masë më të lehtë për të paraburgosurit, shtetas të Kosovës janë refuzuar, pa asnjë dallim. Gjykata Speciale në Hagë është themeluar nga Kuvendi i Kosovës me Ligj të veçantë dhe së paku llogaritet të jetë qoftë edhe formalisht pjesë e sistemit të drejtësisë të Kosovës gjë që nuk mohohet as nga Gjykata Speciale, sidomos kur duhet të merr një vendim rëndues për të paraburgosurit, tash me akuza të konfirmuara. Në përbërjen e saj kjo Gjykatë Speciale nuk e ka asnjë shtetas të Kosovës, të asnjë përkatësie etnike që jetojnë në Kosovë, nuk është as hibride (përbërje të përzier) por është 100% nga shtetas të huaj e që nuk ka ndodhur asnjë herë më parë, është pra rast suigeneris, Gjykatë Speciale me mandat special ku pala zyrtare është 100% e huaj kurse të paraburgosurit janë 100% shqiptarë, shtetas të Kosovës e që nga aspekti i të drejtave të njeriut përveq se është e padrejtë, përbënë edhe elemente të një Gjykate që ndanë drejtësi në bazë të përkatësisë etnike – në baza raciste. Nuk ka kërkesë që e bind gjykatësin paraprak që të ndërrojë masën e shqiptuar, as kërkesa e argumentuar e avokatëve mbrojtës, as gjendja shëndetësore e të paraburgosurve, as fakti se për disa të akuzuar kanë përfunduar hetimet dhe ka filluar gjykimi, madje as fakti se disa shtete kanë ofruar garancione se do t’i përmbushin kërkesat e Gjykatës Speciale për të paraburgosurit që do ta mbajnë arrestin shtëpiak në ato shtete (njëri shtet është anëtar i NATO-s dhe kontribues financiar për punën e kësaj Gjykate). Së fundi, gjykatësi i procedurës paraprake, Nikolas Giju, pas vendimit të Gjykatës së Apelit që e pranoi ankesën e mbrojtësve të të paraburgosurve urdhëroi Policinë e Kosovës (me një urdhëresë të shkruar në gjuhën angleze, gjuhë jo zyrtare në Kosovë) që brenda një afati të caktuar kohor të kthejë përgjigje nëse është në gjendje t’i përmbushë kërkesat e kësaj Gjykate për adminiastrimin e arrestit shtëpiak nëse kjo masë i shqiptohet ndonjërit nga të paraburgosurit të gjithë shqiptarë, shtetas të Kosovës. Pas kësaj kërkese, Policia e Kosovës iu nënshtrua një presioni institucional dhe jo institucional për afatin dhe përmbajtjen që duhet t’i kthehet Gjykatës Speciale por që aspak nuk ndikoi në përgjigjen profesionale që e ktheu në kohën e paraparë duke dhënë garancione të mjaftueshme se ka kapacitete profesionale dhe logjistike që ta administrojë 100% arrestin shtëpiak në përputhje me kërkesat e Gjykatës Speciale. Kundërshtimi i Prokurorit Special, Jak Smith ishte tallës dhe përqeshës, injorues deri në paturpësi e që seriozisht e sfidon Policinë e Kosovës, shtetin e Kosovës përkatësisht Kuvendin e Kosovës, si themelues i Gjykatës Speciale dhe Qeverinë e Kosovës si propozues i Ligjit për Gjykatën Speciale.
Kryetarja e kësaj Gjykate, Ekaterina Trandafilova pati deklaruar se mbajtja në paraburgim më shumë se një (1) vjet është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut ndërsa tani nuk po deklarohet kur thuaja të gjithë të paraburgosurit shqiptarë dhe shtetas të Kosovës po mbahen në paraburgim më shumë se një (1) vit. Ekaterina Trandafilova e pati larguar nga kolegji vendimmarrës një gjykatës i cili pati treguar për mundësinë e zëvendësimit të masës së paraburgimit me arrest shtëpiak, nëse garanton një shtet i tretë ndonëse KMDLNj -ë mendon se kjo masë duhet të zbatohet në territorin e Kosovës për faktin se të paraburgosurit janë arrestuar dhe po gjykohen sipas ligjeve të Kosovës. Ndaj të paraburgosurve në Hagë, nga Gjykata Speciale në mënyrë flagrante po shkilen të drejtat e njeriut dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut për faktin se po mbahen në paraburgim përtej afatit të arsyeshëm. Në këtë mënyrë, po iu shkelen të drejtat elementare të njeriut për një gjykim fer, të drejtë, të paanshëm dhe të pandikuar politikisht.
Duke mos e paragjykuar fajësinë apo pafajësinë, KMDLNj-ë thërret Gjykatën Speciale të respektojë standardet edhe ato minimale të respektimit të drejtave të njeriut për personat e privuar nga liria e që po i shkel në shumicën e vendimeve. Nëse nuk merret parasysh kërkesa e avokatëve për zëvendësimin e masës së paraburgimit, garancioni shteteve të treta, garancioni i Policisë së Kosovës (sipas urdhëresës së Gjykatës Speciale ) a do të ishte i pranueshëm për Gjykatën Speciale që arresti shtëpiak të zbatohet në Manastirin e Deçanit që po e gëzon përkrahjen aq të madhe të shteteve më të fuqishme të Bashkësisë ndërkombëtare si dhe të Gjykatës kushtetuese të Kosovës si dhe të Serbisë!
Çfarë brutaliteti dhe cinizmi!
KMDLNj-ë pret që Gjykata Speciale të merr një vendim në përputhje me standardet minimale për të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria dhe në përputhje me kërkesat që i ka bërë Policisë së Kosovës dhe të injorojë kërkesat e Prokurorit të Specializuar që për fakte merr intervista, fotografi e kurdisje të tjera që nuk kanë të bëjnë as me procedurën, me dëshmitarët dhe me lëndën që trajton kjo Gjykatë. Është jo profesional vlerësimi që Prokurori i Specializuar, Jak Smith i bënë profesionalizmit të Policisë së Kosovës aq më parë që pikërisht nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë rrjedhur ose janë shitur materiale të ndjeshme pas së cilave janë arrestuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj kurse keqbërësit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, Jak Smith, jo që nuk janë ndëshkuar por vazhdojnë të marrin paga të majme edhe nga shtetet të cilave iu është refuzuar administrimi i arrestit shtëpiak për të paraburgosurit në Hagë, të gjithë shqiptarë dhe shtetas të Kosovës. Asnjë Gjykatë Serioze nuk do ta përfillte kërkesën e një Zyreje të inkriminuar siç është ajo e Zyrës së Prokurorit të Specializuar që qëllimisht (me para) ose pa dashje ka lëshuar në qarkullim materiale të ndjeshme siç ishin dosjet që rrodhën në opinion e që u përdorën për arrestimin e drejtuesve të OVL – së së UÇK – së dhe përshpejtuan arrestimin e udhëheqësve më të lartë institucional të Kosovës dhe themeluesve dhe drejtuesve të UÇK-së.