Një 71-vjeçar i burgosur ka vdekur sot në Spitalin e Pejës, i cili po vuante nga tumori në kokë. Për të njëjtin i ishte kërkuar presidentes Vjosa Osmani që ta falte, megjithatë ajo nuk e kishte bërë një gjë të tillë.
Lidhur me këtë rast ka reaguar sot edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.
Në reagimin e KMDLNj-së theksohej që institucionit të Presidentit të Kosovës i ishte bërë kërkesa për faljen e dënimit për 71-vjeçarin, por lidhur me këtë në adresë të Demokracia.com kanë reaguar nga Zyra e Presidentes, duke pretenduar që KMDLNJ i ishte referuar presidentit paraprak.
Por, një gjë të tillë e ka konfirmuar tani për Demokracia.com edhe Drejtori Ekzekutiv i KMDLJNj-së, Behxhet Shala, i cili tha se një kërkesë e tillë i ishte bërë edhe presidentes Osmani.
Shala ka thënë se Shërbimi Korrektues i Kosovës në vazhdimësi bënë kërkesa të tilla, për faljen e dënimit për personat të cilët vuajnë nga sëmundje të ndryshme, siç ishte edhe rasti i të burgosurit që vdiq sot në Spitalin e Pejës.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës bën kërkesa të tilla vazhdimisht, janë bërë edhe në të kaluarën, edhe tani. Për neve është e papranueshme sesi të burgosurit, të cilët janë të sëmurë lihen në atë gjendje”, ka thënë Shala.
Në anën tjetër këshilltari i presidentes Osmani, Bekim Kupin ka thënë për Demokracia.com se në evidencën e kërkesave për falje për vitin 2020/2021 “nuk ka një kërkesë për falje”
Ndryshe, sot në Spitalin e Pejës ka vdekur një i burgosur 71-vjeçar, i cili ishte i shtrirë në spital për rreth dy javë.
Në reagimin e KMDLNj-së thuhet se S.L. është pranuar në burg më 25 janar të vitit 2009 dhe që atëherë ishte i sëmurë.