KMDLNj: Mosbartja e maskës mbrojtëse nuk është vepër penale

Prishtinë | 30 Qer 2020 | 12:09 | Nga Ekonomia Online

Ministri aktual i Shëndetësisë, Armend Zemaj në prononcimet e ditëve të fundit ka deklaruar se do ta përdorin forcën e Ligjit ndaj atyre që nuk i respektojnë masat mbrojtëse e sidomos ndaj atyre që nuk vendosin maska mbrojtëse. Po të njëjtin qëndrim e ka deklaruar edhe kryeministri Hoti.

KMDLNj është i shqetësuar për rritjen e të infektuarve me COVID-19  por se kjo nuk iu jep të drejtë drejtuesve më të lartë të vendit të kërcënojnë qytetarët e pabindur aq më parë që nuk ka asnjë bazë ligjore me të cilën mbështeten këto kërcënime.

Edhe ministri Zemaj si dhe kryeministri Hoti  duhet të kenë nxjerrë mësim nga qeveria Kurti, e cila, përkundër faktit se Gjykata Kushtetuese e Kosovës i shpalli si antikushtetuese dhe shkelje e të drejtave të njeriut vendimet e qeverisë dhe ministrit Vitia, me qindra qytetarë të Kosovës u ndaluan  dhe u arrestuan nga Policia e Kosovës sikur që u dënuan me dënime, kryesisht me të holla. KMDLNj ka kërkuar dhe kërkon që këto dënime të mos ekzekutohen në asnjë mënyrë sepse do të binin në kundërshtim me vendimet e Gjykatës Kushtetuese .

Kryeministri Hoti dhe ministri Zemaj nuk kanë përgjegjësi për rritjen e numrit të të infektuarve me COVID-19 por se kanë detyrim dhe përgjegjësi që qytetarët, sidomos ata që mundësitë materiale i kanë të vogla, të furnizohen me mjete mbrojtëse pa pagesë aq më parë që ka pasur shumë donacione ndërkombëtare për këtë. Të rrallë janë ata që kanë mundësi që për një maskë mbrojtëse për një përdorim të paguajnë nga 1 euro për vete dhe nga 1 euro për çdo anëtar të familjes. Në vend të kërcënimit duhet të krijohet një mundësi që qytetarët të furmizohen me masa mbrojtëse pa pagesë. Në Kosovë nuk është shpallur gjendje e jashtëzakonshme prandaj nuk ka mundësi të përdoren mjete të jashtëzakonshme juridike e që nuk janë të rregulluara me ligj.

KMDLNj vlerëson se është rritur numri i të infektuarve për faktin se është rtitur numri i testimeve.

KMDLNj thërret qytetarët që t’i përmbahen rekomandimeve të institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e situatës dhe kërkon nga qeveria e Kosovës të përkrah më shumë sistemin shëndetësor të Kosovës mbi të cilin po bie barra kryesore në luftimin e pandemisë.

Të ngjashme