KMDLNj: Policët protestues nuk kërkojnë asgjë më shumë se realizimin e të drejtave të tyre ligjore dhe njerëzore që iu takojnë

Prishtinë | 02 Nën 2023 | 12:59 | Nga Ekonomia Online

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar në lidhje me protestën që dje mbajti njësiti FIT i Policisë së Kosovës.

KMDLNj ka thënë se kërkesat e tyre duhet të përmbushen në mënyrë që ta ruajnë dhe forcojnë edhe më shumë profesionalizmin e Policisë së Kosovës.

“Me këtë protestë krejtësisht të drejtë, policët protestues nuk kërkojnë asgjë më shumë se realizimin e të drejtave të tyre ligjore dhe njerëzore që iu takojnë me ligjet në fuqi dhe dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.”

Komunikata e plotë:

KMDLNJ-ë POLITIKANËVE: MOS MANIPULONI ME SHIFRA TË RREME, PËRMBUSHNI KËRKESAT

Me datë 1 nëntor 2023, Njësiti më elitarë i Policisë së Kosovës, i njohur si FIT, protestoi para ndërtesës së qeverisë së Kosovës duke shprehur pakënaqësinë e tyre në lidhje me shumën e caktuar nga qeveria si shtesë për rrezikshmëri për këta pjesëtarë të policisë. Ata u mblodhën në orën 12:00 tek sheshi “Skënderbe”, në oborrin e qeverisë së Kosovës siç edhe kishin paralajmëruar. Monitorues të KMDLNj-së e kanë monitoruar nga afër protestën. Në protestë ishin pothuajse të gjithë pjesëtarët e FIT, të cilët të veshur me uniformë kishin vendosur maska në fytyrë dhe nuk kishin armët. Njëri nga ta lexoi dhe përsëriti kërkesat e tyre: kategorizimi si njësi të veçanta dhe përfshirjen në listën e ekspertëve, rrezikshmëria të caktohet në 50 përqind të pagës bazë dhe shtesa për kushte specifike të punës”. Ai gjithashtu pohoi se ata e kishin dëshmuar veten e tyre, prandaj kërkoi nga qeveria të mos luajnë me dinjitetin e tyre dhe të familjeve të tyre. Protesta ishte mirë e organizuar, pa asnjë provokim apo lëshim profesional dhe përcillej nga një numër i madh i mediave. E veçanta e protestës ishte se u përjashtua çfarëdo ndikimi politik duke u identifikuar qartë si një protestë krejtësisht të karakterit ekonomiko – social. Nuk ka asnjë logjikë që ky segment i pazëvendësueshëm që garanton ekzistencën dhe qëndrueshmërinë e shtetit të mos ketë sigurime shëndetësore dhe jetësore në kohën kur 24 orë i ekspozohen rrezikut për jetë.

Protestë për sot, datë 2 nëntor 2023 kanë paralajmëruar Njësia Speciale Operative. Sipas informatave kjo njësi ka vendosur që protestën ta zhvillojnë brenda zyreve në Policinë e Kosovës. Gjithashtu, sipas informatave edhe Njësia për Eksplozivët dhe Deminim kanë shprehur pakënaqësitë e tyre.

KMDLNj – ë edhe më parë ka reaguar duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse të përmbushin këto kërkesa në mënyrë që ta ruajnë dhe forcojnë edhe më shumë profesionalizmin e Policisë së Kosovës që është njëra ndër shtyllat kryesore për ruajtje të sigurisë dhe funksionimit të shtetit. Në të gjitha rastet kur Kosovës po i cënohet integriteti territorial, që të gjithë po shprehemi krenarë me Policinë tonë, prandaj dhe ka ardhur koha që këtë “krenarinë” ta përkthejmë në përkrahje reale për Policinë e Kosovës dhe të mos mbetet retorikë politike për manipulim. Me këtë protestë krejtësisht të drejtë, policët protestues nuk kërkojnë asgjë më shumë se realizimin e të drejtave të tyre ligjore dhe njerëzore që iu takojnë me ligjet në fuqi dhe dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Të ngjashme