Me 3 qershor 2020, me kërkesë të mandatarit Hoti, do të mbahet seanca e jashtëzakonshme për votim të qeverisë së re. Këtë vendim e mori Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen që është mbajtur sot.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për dekretin e Presidentit Thaçi pati kundërshtime dhe pakënaqësi verbale por që nuk ndikuan në gjendjen e sigurisë.
KMDLNj me një thirrje publike ka kërkuar që vendimi i Gjykatës si një akt i pakthyeshëm dhe vendim i autoritetit suprem për interpretim të Kushtetutës të mos kundërshtohet sikur që gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese duhet të kursehen nga kërcënimet, shantazhimet dhe linçimet publike e që, përjashtuar disa raste me të cilat po merret policia, gjendja nuk ka përshkallëzuar siç ishte paralajmëruar.
KMDLNj shpreson dhe pret që edhe votimi për qeverinë e re të Kosovës të bëhet në suaza të një demokracie parlamentare duke respektuar çdo votë si shprehje e lirë e vullnetit të deputetit, pavarësisht nëse është pro apo kundër.
“Askush nuk ka të drejtë të ushtrojë presion në deputetë për përcaktimin e votës së tyre. Seanca për votim të Qeverisë së re më asnjë mënyrë nuk guxon të përshkallëzojë në veprime jo-parlamentare, ndryshe ata që do ta bëjnë këtë do të marrin përgjegjësi politike dhe do të kenë pasoja në zgjedhjet e ardhshme që sipas KMDLNj nuk do të jenë larg”, thuhet në komunikatën e dërguar për medie nga KMDLNJ.