Kohë më parë, shumë organizata të shoqërisë civile në mesin e të cilave edhe KMDLNj kundërshtuan ndërtimin e hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës duke kërkuar përgjegjësi ndaj atyre që lëshuan leje dhe të cilët po kontribuojnë drejtpërdrejtë në degradimin e mjedisit duke futur rrjedhën e lumenjve në gypa dhe duke rrezikuar edhe vet shëndetin e banorëve të lokacioneve ku po bëhen ndërtimet.
Ishin dy pika ku qytetarët, në mënyrë të organizuar dhe të vendosur kundërshtuan ndërtimin e hidrocentraleve e që përkohësisht u pezulluan punimet ; në Grykën e Rugovës dhe në lumin Lepenc, në fshatin Biti e Poshtme , komuna e Shtërpcës. Tash, kur është një vakuum institucional , në fshatin Biti e Poshtme kanë rinisur punimet për ndërtim të hidrocentarlit përkundër kundërshtimeve të të gjithë banorëve në këtë lokacion , pa dallime në baza etnike apo tjera. Në mbrojtje të mjedisit dhe kundër degradimit të sistemit ekologjik , bashkërisht kanë kundërshtuar dhe protestuar shqiptarë , serbë dhe të tjerë sepse ka të bëjë me një interes të përbashkët siç është mbrojtja e mjedisit .
Në fshatin Biti e Poshtme , me datë 08.10.2019 u protestua kundër vazhdimit të punëve për degradim të mjedisit përmes ndërtimit të hidrocentraleve me ç’rast , sipas informatave të KMDLNj -, policia ka ndërhyrë duke përdorur sprej për neutralizim dhe , në disa raste dyshohet edhe shkopijnë gome kundër protestuesve që bënin protestë të drejtë dhe paqësore duke mbrojtur një të drejtë elementare të njeriut , të drejtën për një mjedis të pastër që është parakusht për ruajtje të shëndetit dhe zhvillim në përputhje me të gjitha dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Gjatë kësaj ndërhyrjeje policore , për shkak të përdorimit të sprejit neutralizues , 17 banorë , në mesin e të cilëve kishte burra, gra dhe fëmijë, kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë. Që të dy lokacionet ku po bëhen përpjekje të ndërtohen hidrocentarlet janë pjesë e Parqeve Kombëtare dhe llogariten si perla për zhvillim të turizmit andaj edhe burim për mbijetesë dhe jetesë më të mirë për banorët e këtare lokacioneve. Çdo shkatërrim i mjedisit , në fakt , përveç shëndetit , rrezikon edhe ardhmërinë e këtyre banorëve .
Qeveritë e mëparshme të Kosovës kanë marrë detyrime për ruajtje të mjedisit dhe ky standard është edhe kusht për integrime evropiane . Në kohën kur në tërë botën po fuqizohen kundërshtimet për ruajtje të mjedisit dhe kur edhe qeveritë bien nga pushteti për shkak të degradimit të mjedisit , në Kosovë po lejohet ndërtimi i hidrocentraleve , ekskluzivisht për përfitime materiale. Kosova nuk është aq e pasur me lumenjë në mënyrë që të lejojë që hidrocentralet të mbijnë , si këpurdhat apo pompat e benzinës.
Nga qeveria e re e Kosovës , KMDLNj kërkon të rishqyrtohen të gjitha lejet për ndërtim të hidrocentraleve dhe të merren masa ndaj të gjithë atyre që kanë kontribuar në degradimin e mjedisit. Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të ndërtojë dhe mbrojë politikat mjedisore dhe të ndërmerr veprime të menjëhershme për ndërprerjen e punëve në këto hidrocentrale.
KMDLNj kërkon hetime për përdorim të forcës së policisë së Kosovës ndaj protestuesve paqësorë që protestonin për një qëllim që duhet të përkrahet nga të gjithë siç është ruajtja e mjedisit ! Punimet në lumin lepenc duhet të ndalen dhe gjendja duhet të kthehet ashtu si ka qenë në fillim.