Një funeral privat është mbajtur të premten në Kaliforni, për legjendën e basketbollit Kobe Bryant dhe vajzën e tij 13-vjeçare Gianna, të cilët vdiqën gjatë muajit të kaluar bashkë me shtatë persona të tjerë, në një aksident me helikopter.
Sipas mediave të huaja, Kobe dhe Gianna, janë varrosur në lagjen e njohur të Kalifronisë, “Corona Del Mar”, disa ditë para se të mbahet ceremonia përkujtimore e cila do t’i nderojë të gjitha viktimat e këtij aksidenti tragjik. Kjo ngjarje publike do të zërë vend më 24 shkurt’ në qendrën “Staples Center” në Los Angeles.
“Vanessa dhe e gjithë familja kanë dashur ta kenë një ceremoni private për t’i varrosur dy personat e tyre më të dashur, dhe të kenë mundësi të mbajnë zi në paqe. Ceremonia e varrimit ishte një proces shumë i rëndë për të gjithë, pasi e kanë të vështirë ta pranojnë humbjen e dy shpirtrave të bukur,” citohet të ketë thënë një burim i afërt i familjes Bryant, për emisionin “Entertainment Tonight”.
Kryebashkiaku i Los Angelesit, Eric Garcetti, duke folur për kanalin “E!News” rreth ceremonisë përkujtimore, kishte thënë: “Ne jemi një qytet i cili beson të njeri-tjetri dhe beson në diçka më të madhe se vetvetja. Ne padyshim se do ta bëjmë të pamundurën të sigurohemi që ky organizim, të bëhet në mënyrën më të mirë të mundshme, dhe të gjithë të interesuarit të kenë mundësi ta përcjellin atë”.
Los Angelesi edhe në të kaluarën e ka shfrytëzuar qendrën “Staples Center” për t’i kujtuar disa prej yjeve më të dashur të qytetit si, Michael Jackson dhe Nipsey Hussle.