Koci: Kam informacione që edhe shumë persona janë të përfshirë në sulmin në Banjskë

Prishtinë | 09 Tet 2024 | 10:53 | Nga Gzim Mujaj

Avokati i familjes së rreshterit të vrarë në sulmin në Banjskë, Afrim Bunjku, Arianit Koci, tha se ka informacione që, përveç 42 të akuzuarve, edhe shumë persona të tjerë janë të përfshirë në rastin e sulmit terrorist në Banjskë, raporton Ekonomia Online.

Koci shtoi se i mbetet në dorën e Prokurorit të rastit se a do të ngrihet edhe një aktakuzë e re apo do të zgjerohet aktakuza aktuale.

Ai shtoi se në këtë rast pret që të dënohet të gjithë të akuzuarit për shkak se ka prova të pa kundërshtueshme.

“Së pari ju e patë që u evituan të gjitha pengesat procedurale, të gjithë u pajisen me shkresa të lëndës. Të akuzuarit i kanë 30 ditë afat për t’i kundërshtuar provat edhe më bë kërkesën për hudhjen e aktakuzës. Prej tre të akuzuarve, dy nuk u deklaruan fare që i bie që nuk e kanë pranuar fajësinë, i treti tha fare nuk kam lidhje me këtë aktakuzë. Natyrisht pres që do të dënohen të gjithë, për shkak se ka prova të pakundërshtueshme. Kjo gjë është e qartë e qartë që në fillim”.

“Kam informacione që janë edhe shumë persona të tjerë të përfshirë, a do të ngrihet edhe një aktakuzë e re apo do të zgjerohet kjo mbetet në strategjinë e Prokurorit. Hetimet për këtë rast, në mënyrë të vrullshme dhe intensive, po vazhdojnë”.

“Gjykata Supreme i di punët e veta, unë besoj sepo e trajtojnë me prioritet. Sa i përket 42 personave që janë të akuzuar, për ta më jetë nuk ka. Ata janë në kërkesën e kuqe të Interpolit, ata jo që nuk munden me dalë prej Serbisë, por pres në çdo moment që Serbia, ose kur t’i vijë koha, t’i dorëzojë në Kosovë”.

Të ngjashme