Avokati Arianit Koci, i cili mbron deputetin Pal Lekaj në rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, ka kërkuar që procesi gjyqësor në këtë rast të përfundojë sa më shpejtë, raporton Ekonomia Online.
Ai pas përfundimit të seancës ka thënë para medieve se s’ka arsye të zgjatet më shumë ky proces, duke shtuar se s’ka prova për të vërtetuar fajsinë e të akuzuarëve
“Nuk ka arsye që të zgjasë kjo procedurë dhe duhet të përfundojë sa më shpejtë, pasi që ka thënë se pesë vite janë në pyetje. “Ne nuk jemi të kompletuar më prova dhe nuk ka asnjë ekspertizë. Unë dyshoj që këtu mund të provohet fajësia e të akuzuarave”, tha Koci.
Në gjykatën Themelore të Prishtinës- Departamenti i Krimeve të Rënda të enjten është mbajtur seanca kundër Albulena Haxhiu, Pal Lekaj, Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu të cilët akuzohen për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Në aktakuzë thuhet se më 19 shkurt 2016, rreth orës 12:20, në hollin e Kuvendit e Kosovës, pas pauzës së punimeve të Kuvendit, derisa të akuzuarit ishin duke u kthyer në sallë, gjatë kontrollit nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, tek të akuzuarit ishin gjetur dhe sekuestruar nga një bombole e gazit lotsjellës, të cilën e mbanin pa autorizim.
Për këto veprime, katër të akuzuarit po dyshohet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1, të KPRK-së.
Në seancën e mbajtur edhe të akuzuarit tjerë kanë kërkuar që procesi mos të zvarritet.
Seanca e radhës do të mbahet më 14 prill.