Delegacioni shtetëror i Kosovës për bisedime me Serbinë, kryesuar nga Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti, pritet që nesër të zhvillojnë një takim tjetër në Bruksel.
Zëdhënësja për media e zyrës së Bashkimit Europian Maja Kocijançiq, ka thënë për klankosova.tv se pritet angazhim i tyre sa i përket procesit të çështjes së dialogut.
Angazhim të tillë sipas Kocijanciq duhet të ketë edhe nga pala serbe, duke qenë se një normalizim i plotë i marrëdhënieve mes të dyja vendeve është i nevojshëm për të qenë pjesë e BE-së, njofton Klan Kosova.
”Delegacioni u ftua në Bruksel për tu takuar më 8 janar, dhe do të pritet po ashtu nga shefja për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini”, është shprehur ajo.
Kocijançiq në përgjigjiet e dhëna për klankosova.tv, tha se këto konsultime janë pozitive për të ardhmen dhe angazhimin e palës kosovare në këtë drejtim.
”Konsultimet janë një mundësi për të shkëmbyer me përfaqësuesit e Kosovës në Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit, të lehtësuar nga Bashkimi Europian”.
Delegacioni i shtetëror i Kosovës, këtë herë do të zhvillojnë takim me Federica Mogherinin pa prezencën e presidentit Hashim Thaçi, njofton Klan Kosova.
Votimi i ekipit negociues në Kuvendin e Kosovës ngjalli reagime të shumta në vend.
Kjo pasi nga opozita e vetmja parti që iu bashkua Qeverisë është ajo e Shpend Ahmetit, Partia Social Demokrate e cila edhe u kritikua për ‘pazare’ me zyrtarët e këtij dikasteri.