Në maj të vitit 1912, Hasan Prishtina la Stambollin dhe u kthye në Kosovë. Xhonturqit i kishin shkelur premtimet politike dhënë shqiptarëve, prandaj Hasan Prishtina u hodh në veprim për të filluar kryengritjen e armatosur kundër tyre.
Ai zbriti në stacionin e trenit në Vushtrri dhe u nis për në Prekaz ku e priste njeriu të cilit i besonte më se shumti. Ai ishte Ahmet Delia. Kur i dëgjoi planet e Hasan Prishtinës, Ahmet Delia vendosi të bëhej pjesë e tyre.
Në kujtimet e tij, Hasan Prishtina shkruan se në kullën e Ahmet Delisë në Prekaz u lidh besa me këto fjalë: «Bajmë be e japim besën e burrave, se kemi me ba çfardo flije e në kjoftë nevoja kemi me i ba kurban me duer t’ona robët e fëmit t’onë”.
86 vite më vonë, në një audioincizm dërguar familjarëve në Perëndim, Adem Jashari përsërit të njëjtin betim: “Jemi kamngul’s n’ato parime që jemi marrë vesh, besa besë veç nji vdekje, s’ka tjetër n’kët jetë! Besën e kemi dhanë çka do që t’ndodhë tanë jetën kemi me e dhanë n’grykë t’pushkës”.
Një kod i vjetër ky, arkaik do të thoshin modernistët, i ardhur nga kohët që nuk mbahen mend, e që na kujton Agamemnonin në Iliadën e Homerit para se të nisej për në Luftën e Trojës.
Sot jemi të lirë, e nuk kemi më nevojë për dramën tragjike që përmban brenda vetes ky kod i vjetër.
Ajo që kemi nevojë është që të mos harrojmë të kaluarën, të mos lejomë që të tjerët të na e deformojnë të vërtetën e saj, ndërsa besën ta shndërrojmë në përkushtim modern për shtetin, ligjin dhe drejtësinë.