Kodra: Shteti e ka humbur seriozitetin në luftimin e Covid-19

Prishtinë | 10 Mar 2021 | 17:25 | Nga Ekonomia Online

Shtimi i numrit të rasteve me COVID-19 gjatë javëve të fundit është shqetësues për përfaqësuesit e Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë (PRAK).

Sipas tyre, kjo ngritje vjen si pasojë e papërgjegjësisë së partive politike gjatë fushatës paraelektorale të muajit shkurt, por edhe si rezultat i mosfunksionimit normal të organeve shtetërore. Madje konsiderojnë se serioziteti i shtetit në luftën kundër pandemisë është venitur, sikurse edhe bashkëpunimi me popullatën.

“Rritja e numrit të infektuarve është shqetësues, dhe më shqetësuese se kjo, është se kapacitetet spitalore po shkojnë drejt fundit si dhe numri vdekjeve të qytetarëve që vijnë si rezultat i rritjes së numrit të infeksioneve. Një ngritje e tillë është bërë kryesisht për shkak të tubimeve zgjedhore të partive politike, të cilat duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve kanë bërë fushatë, duke grumbulluar njerëz në ambiente të mbyllura. Kjo ka qenë fushata më e papërgjegjshme e partive politike, të cilat kanë rrezikuar ose e kanë shkel shëndetin e qytetarëve më të dyja këmbët”, ka thënë Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë.

Shtimi i numrit të infektuarve, sipas tij ndërlidhet edhe me mosfunksionimin normal të shtetit.

“Shteti e ka humbur seriozitetin në luftimin e COVID-19, dhe ka humbur bashkëpunimin me qytetarë. Në fakt, heshtja e institucioneve shëndetësore, duke i lënë partitë politike që të organizojnë tubime, ka humbur besimin e publikut se pandemia mund të frenohet. Rrjedhimisht edhe ata nuk po i respektojnë masat. Jo rastësisht jemi në këtë situatë ku jemi”, ka deklaruar Kodra.

Sipas tij organet shtetërore duhet të kenë qasje tjetër në luftën kundër pandemisë.

“Shteti duhet të jetë serioz, duhet të jetë kompakt në luftimin e pandemive, pasi vetëm me seriozitet maksimal dhe me bashkëpunimin e qytetarëve mund të luftohen pandemitë. Kemi shembullin e Zelandës së Re, që nuk e ka asnjë rast tani dhe ka blerë vaksina për të gjithë qytetarët e vet. E ka një shkallë të lartë të seriozitetit. Ne nuk mund të krahasohemi me të, por të paktën mund ti marrim disa premisa. Ne nuk po krahasohemi as me vendet e rajonit, e as me vendet e Afrikës”, është shprehur Kodra.

Ai ka shtuar se kjo mungesë serioziteti është manifestuar edhe në raport me mbështetjen e kategorive të ndryshme në emër të luftës kundër COVID-19 përderisa vet pacientët duhet të përballen me koston e lartë të shërimit nga kjo sëmundje.

“Shteti dhe shëndetësia u dedikohen njerëzve që nuk munden, jo atyre që munden. Është e pamoralshme që të rriten përfitimet e të gjitha kategorive në emër të COVID-it, ndërsa ata që e kanë COVID-in në trupin e tyre dhe blejnë barna vet, mos të marrin ndihmë… Thjesht kemi dështuar me mbrojtë shëndetin, jetën dhe buxhetin familjar të qytetarëve”, ka thënë Kodra.

Autoritetet qeveritare dhe shëndetësore të Kosovës, ditë më parë, patën kërkuar respektimin e plotë të masave anti-Covid, meqë sipas tyre vendi gjendet para një vale të re të shpërthimit të pandemisë COVID-19.

“Nga shtabet komunale, policia, AVUK-u dhe Inspektoratet, u kërkua që të rrisin angazhimin për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19 dhe në të njëjtën kohë të bëjnë respektimin rigoroz të masave në fuqi. Po ashtu, nga të gjithë qytetarët u kërkua që të respektojnë distancën fizike, të përdorin maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura”, thuhej në komunikatën e kryeministrisë, duke shtuar se gjatë këtij muaji pritet të arrijë edhe kontingjenti i parë i vaksinës COVAX./Koha.net

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme