Trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman, ka deklaruar se për të ardhmen e Ousmane Dembeles do të vendosë vet lojtari por edhe Barcelona.
Dembele është lidhur me një largim nga Camp Nou, me Manchester Unitedin që synon ta transferojë atë në formë huazimi, transmeton KOHA. Dhe klubi anglez është optimist se një marrëveshja do ta arrijë deri më 5 tetor, kur edhe mbyllet afati kalimtar.
“E para gjë për të thënë është se për këtë vendos klubi dhe lojtari. Por, ai është me ne dhe siç është parë javëve të fundit jam duke llogaritur në të. Ai duhet të presë që të luajë por ai po stërvitet mirë. Mund të them se unë po llogaris në të”, ka deklaruar Koeman.
Jadon Sancho i Dortmundit ende mbetet zgjedhja e parë e Unitedit, megjithatë alternativë për të është Dembele.
Dembele ishte bashkuar me Barcelonën nga Dortmundi në verën e vitit 2017 kur ishte transferuar për 105 milionë euro, por ka dështuar të performojë në nivelin e çmimit që është paguar për të.
23 vjeçari ka 75 paraqitje në të gjitha garat për Barcelonën, derisa është përballur me lëndime të mëdha gjatë këtyre sezoneve.