Vrasje dhe dhunë gjithandej Kosovës! Vera e këtij viti ngjan me filmin “Shfrenimi”, por për dallim nga filmi këtu vrasjet dhe dhuna ndodhin natën dhe ditën pa ndërprerë.
Njerëzit dalin nga veturat midis rruge dhe rrahen. Hyjnë në kafene rrahen dhe vriten. Nuk ka mirëkuptim as prej grave dhe fëmijëve.
Koha e budallëve, pat thënë baba para një kohe. Koha e të ligjve, e atyre që duan të realizohen para publikut.
Koha e deshtakëve që janë armatosur deri në fyt pas luftës. Koha e të marrëve që nuk e njohin babën as nanën, të moshuarit as të miturit.
Koha e atyre që nuk njohin asgjë njerëzore. Dhe nuk do të mund të ndodhte ndryshe, kur sheh faqezinj, bijë udbashësh, hajnash, që janë vënë në krye të kësaj shoqërie.
Nuk mund të ndodhte ndryshe kur sheh elitën e heshtur ose të shitur të këtij vendi, që ose ia kanë shitur shpirtin dreqit ose nuk kanë guxim me e thënë asnjë fjalë të vetme.
Koha e shfrenimit! Rrezik me qenë normal në një shoqëri të këtillë. Rrezik me i respektu njerëzit këtu ku nuk respektohen as dëshmorët, rrezik me dal në trafik me njerëz të frustruar pa asnjë pikë mirësjellje e njerëzie.
Rrezik me hy n ‘kafe prej kaubojëve që sillen si në Perëndimin e Egër. Rrezik me jetu në një vend ku liria shihet si kohë më e keqe se sa koha e robërisë, ku lavdërohen e marrin poste ish – politikanët dhe ushtarakët serbë ndërkohë që çlirimtarët fyhen, ndiqen…
Shfrenim masiv, marrëzi pa fund!