Kohë të këqia

Prishtinë | 16 Mar 2023 | 20:51 | Nga Ekonomia Online

(Poezi nga Marinela Sela)

Kryeqyteti im është prej betoni.
Dhe njerëzit gjithashtu.
Krimi kudo mbin si fije bari.
E burgosur ndjehem këtu…
Në fshatin tim ku u rrita
Njeriu e nderon njerinë.
Atje në det pagëzohet dita.
Dhe toka ku shkel të bekon…
Sa herë im At krasiste vreshtat.
– Bijë, mos harro një këshillë! – më thoshte.
“Hidhi sytë gjithmonë nga vetja!
Shkule me rrënjë të keqen brenda teje!”
Dhe kur mami atje në stan,
iu hidhte tagjinë bagëtive.
Më thoshte shpesh buzagaz:
– E vogla ime
më mirë rri pranë kafshëve
sesa të rrish pranë të ligëve …
Po tani që fati deshi
Kryeqytetin ta provonim.
Shitur prej vitesh delet i kemi
Pa punuar e kemi tokën.
Menduam se farën e ëndrrave
lirisht këtu do e mbillnim.
Por në beton veç thyhen zemrat.
Krahë për krahë merr frymë me krimin…

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme