Qytetarë të shumtë, shqiptarë dhe serbë, janë mbledhur të enjten skaj Urës së Ibrit, e njohur si simbol i ndarjes së së qytetit të Mitrovicës, në Festivalin e përbashkët të Kafesë.
“Kojshi hajde në kafe” ishte slogani (në shqip dhe serbisht) i kësaj ngjarjeje, të organizuar nga disa organizata kosovare, me mbështetjen e USAID-it.
Përveç kafes, të pranishmit kishin mundësi që të shijonin përformanca muzikore nga grupe dhe DJ të ndryshëm nga komunitete të ndryshme në qytetin e Mitrovicës.
“Festivali i Kafes gjithashtu do të ketë kënde me arte dhe zanate, me lojra dhe arte vizuale të ndryshme – ku të gjithë do të kenë mundësinë që ta gjejnë veten”, thuhej në ftesën e Community Building Mitrovica (CBM), njëra nga organizatorët e festivalit.
Në ftesën e shpërndarë edhe në rrjete sociale, njoftohej se do të shpërndahen 100 kupona për kafe falas. “Sigurohuni që të jeni në kohë dhe të merrni një”.
Kjo ngjarje është pjesë e Aktivitetit të Pajtimit dhe Transformimit të Konflikteve, i zbatuar nga Community Building Mitrovica dhe partnerët nga New Social Initiative dhe Nisma e Rinisë për të Drejtat e Njeriut – Kosovë, dhe e mbështetur nga populli amerikan përmes USAID-it në Kosovë.