Dita Ndërkombëtare e Sportit për Zhvillim dhe Paqe, me aktivitete të ndryshme është shënuar edhe në Kosovë.
Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me Play International Kosova mblodhën fëmijë të lindur në vitin e Pavarësisë, të cilët për herë të parë realizuan aktivitete në sportet e reja si Pentatlonit Modern, loja me pistoleta laserike dhe frizbi.
President i KOK-ut, Besim Hasani tha se përveç që dëshirojnë të promovojnë këto sporte të reja në Kosovë, janë duke u munduar që të dëshmojnë se përmes sportit promovohet më së miri paqja.
“Aktivitete që do të zhvillojnë këtu mund të përhapen në tërë Kosovën. Qëllimi ynë është që çdo fëmijë i Kosovës të jetë i përfshirë në sport pavarësisht kush është si duket, nga vjen edhe fuqia e tij apo saj”.
Hasani apeloj tek të gjithë prindërit dhe mësuesit të inkurajojnë fëmijët që të merren me sport.
Nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli tha se komuna vazhdimisht është duke përkrahur aktivitetet sportive.
“Jemi duke punuar mjaft në promovimin e sporteve dhe mbështetjen e aktiviteteve sportive ne territorin e saj. Dihet se të rinjtë sporti dhe kultura njëkohësisht janë promovuesit më të mirë të paqes në botë dhe janë pikërisht ata shpirtbardhët që dinë dhe mundin të promovojnë paqe. Në komunën e Prishtinës sigurisht shume kemi plane dhe programe efikase për zhvillimin e këtyre aktiviteteve brenda komunës”, tha Pacolli.