KOK i dërgon letër mbështetëse Komitetit Olimpik të Ukrainës

Prishtinë | 02 Mar 2022 | 16:36 | Nga Ekonomia Online

Komiteti Olimpik i Kosovës i ka dërguar letër solidarizimi dhe mbështetëse Komitetit Olimpik të Ukrainës, pas ngjarjeve të fundit.

Që nga java e kaluar, Ukraina ndodhet në luftë me Rusinë, e cila është duke u sanksionuar nga bota e sportit, bashkë me mbështetësin e tyre, Bjellorusinë.

Në letrën e dërguar nga presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, për homologun e tij, Sergey Bubka, kujtohen vuajtjet e popullit të Kosovës nga lufta e fundit në vendin tonë.

“Në këto ditë të vështira për popullin tuaj, Komiteti Olimpik i Kosovës dhe gjithë populli ynë shpreh solidaritetin dhe mbështetjen e plotë për kauzën tuaj dhe shpresën për sigurinë tuaj. Ne ndiejmë të njëjtin trishtim me ju, pasi kjo luftë na sjell kujtimet, kur ne po vuanim luftën 23 vjet më parë”, thuhet mes tjerash në letrën e presidentit Krasniqi.

KOK gjithashtu mbështet fuqishëm sanksionet e vëna nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe Federatat Ndërkombëtare Sportive për për sportistët e Rusisë dhe Bjellorusisë.

KOK ka bashkëpunim të mirë me Komitetin Olimpik të Ukrainës, ndërsa presidenti i KO të Ukrainës, Sergey Bubka, i kishte ndarë medaljen e artë olimpike, Distria Krasniqit, në Lojërat Olimpike Tokio 2020.

Të ngjashme