Komiteti Olimpik i Kosovës ka organizuar konferencë për medie me rastin e nënshkrimit të kontratave me gjashtë “Shpresa Olimpike 2019”, raporton Ekonomia Online.
Për “Shpresat Olimpike 2019” u ndanë bursa të cilat i fituan 10 sportistë.
Këto bursa në vlerë 150 euro në muaj, u ndanë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Aty kreu i KOK-ut, Besim Hasani, njoftoi se përveç MKRS-së e cila ka vendosur të në ndajë bursa për sportistët edhe KOK ka marrë vendim të ndajë bursa në vlerë prej 100 euro.
“KOK për herë të parë të parë ka vendosur të ndajë bursa për shpresat Olimpike 2019. MKRS ka vite që i ndanë këto bursa. Por konsiderojmë që po përmbushim një mision që ka KOK, që sportistët të jenë në qendër të vëmendjes. Nga ky vit 6 sportistëve do iu ndahen bursat dhe sot do i kumtojmë edhe emrat e tyre. Kjo bursë e cila është 1 vjeçare. Besoj që të arriturat në sport e sidomos në xhudo duhet të jenë inspirim për ju që të punoni edhe më tepër në mënyrë që të tregoni vlerat sportive edhe në arenën ndërkombëtare. Bursat e Tokio 2020 e të cilat janë 19 bursa ipen vetën që ta rrisin përformancën”, u shpreh Hasani.
Ndërsa, sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Shasivar Haxhiaj, tha se këtë vit një nga pretendentët për bursë iu është hequr e drejta për ta fituar pas performancës jo të duhur.
E kjo sportiste e cila nuk pati fatin ta gëzojë këtë bursë është notarja Flaka Pruthi, e cila u zëvendësua me notaren tjetër Fjorda Shabani.
“Ne disa raporte i kemi analizuar dhe është marrë një vendim nga Kok që për shkak të performancës jo të duhur i ndërpritet bursa olimpike notares Flaka Pruthi dhe ajo do zëvendësohet me notaren tjetër Fjorda Shabani. Me këtë vendim KOK ka dashtë të përcjellë këtë vendim që në rast sportistët të cilët nuk e përmbushin performancën në mënyrë jo të duhur atëherë atij sportisti do i ndërpritet ajo bursë”, tha Haxhijaj, raporton EO.
Sportistët të cilët përfituan bursë nga Komiteti Olimpik i Kosovës, në vlerë prej 100 euro, janë: Drenis Mala (shigjetari), Erdonis Maliqi (boks), Melisa Zhdrella (not), Bleron Fetaovski (peshëngritje), Blerton Nuha (çiklizëm), Albinot Selmani (karate).
Ndërsa 10 sportistët e Shpresës Olimpike 2019 që i fituan bursat nga MKRS janë: Erza Muminoviq (xhudo), Shpat Zeka (xhudo), Muhamet Ramadani (atletikë), Betim Maliqi (karate), Patriot Behrami (boks), Dren Ukimeraj (not), Arlind Selimi (mundje), Arbi Pupovci (skitari), Albina Deliu (atletikë) dhe Fatih Karabaxhaku (pingpong).