Kokalla mohon akuzat: Policia më tha se unë jam kryesori i rastit, kam hyrë në kredi 25 mijë euro për Naim Murselin

Prishtinë | 27 Mar 2026 | 10:40 | Nga Ekonomia Online

I akuzuari për vrasjen e Liridona Ademajt, Kushtrim Kokalla, ka deklaruar në seancë gjyqësore se nuk ka pasur rol në organizimin e vrasjes dhe ka mohuar se ka ndërmjetësuar mes të akuzuarve të tjerë në këtë rast, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se kontaktet dhe takimet me të pandehurit e tjerë nuk kanë pasur lidhje me veprën penale për të cilën ngarkohet, duke theksuar se nuk ka qenë pjesë e ndonjë marrëveshjeje për kryerjen e vrasjes.

Avokati i tij, Ndrec Dodaj, gjatë marrjes në pyetje e pyeti lidhur me paraqitjen në polici natën kritike.

“Në polici atë natë a ke shkuar vetë apo si ke shkuar?”ka pyetur avokati.

“Mua më ka thirrur policia që të dorëzohem në stacionin e policisë në Gjakovë. Nuk më kujtohet ora saktë, nuk e mbaj mend. Në Prishtinë, sa më kujtohet, kam qenë në ora 20:00. Intervistimi ka filluar diku 30 minuta me vonesë”, tha Kokalla.

I pyetur për trajtimin nga policia, ai tha se nuk ka pasur dhunë fizike ndaj tij.

“Nuk mund të them, dhunë fizike ndaj meje nuk kanë ushtruar.”

Avokati ka pyetur: A ke pasur biseda me hetues para intervistimit zyrtar?

Ai po ashtu konfirmoi se kishte pasur biseda me hetues para intervistimit zyrtar, të cilët sipas tij e kanë akuzuar se ai është kryesori në këtë vrasje.

“Po, kemi pasur. Më thanë që ti je kryesori në këtë punë edhe pse se ke ngritur gishtin, ti e ke bërë të gjithë skenarin dhe është në interesin tonë dhe tuajin se si e ke bërë skenarin. Në atë moment nuk ka qenë prezent avokati. Po ma mundësuan me bisedu, biseda ishte e shkurtër dhe i thashë se unë nuk kam të bëj me këtë rast. Gjatë intervistimit kanë qenë 4-5 intervistues. Më kujtohet njëri shkruante, tjetri bënte pyetje, pa përfunduar pyetjen bënte tjetri”, tha ai.

Në lidhje me pretendimet e aktakuzës për ndërmjetësim mes të akuzuarve, Kokalla e mohoi këtë.

“Nuk kam pasur lidhje me këtë që e kam takuar me Granitin me këtë që pretendohet në aktakuzë”, tha ai.

Ai konfirmoi se kishte takuar të pandehurit, por jo në rrethana që lidhen me veprën penale.

Ai tha se me Naimin janë takuar për ta mbajtur afër Naimin pasi Kokalla kishte hyrë në kredi prej 25 mijë euro për Naimin.

“Po, ne jemi takuar. Mua në atë kohë më pati thirrur Naimi në shtëpinë e tij të re në Bernicë. Dhe atë ditë e kam takuar Granitin dhe i kam thënë a mos shkon në Prishtinë se dua të shkoj edhe unë. Po më ka thënë mund të shkojmë bashkë. Jemi nisur me automjetin e tij, jemi shkuar në Prishtinë, më ka lënë në qytet, te stadiumi ‘Fadil Vokrri’. Unë aty kam shkuar te Naimi me taxi, dhe Granitit i kam thënë se kur të kryej punë te Naimi ta bëj një telefon dhe kthehemi në Gjakovë bashkë. Te Naimi kam qëndruar një orë e gjysmë, dy. Arsyeja ka qenë, sa më duket mua, për me mbajt afër për shkak se më herët kam hyrë në kredi në shumë prej 25 mijë eurosh që ma ka kërkuar Naimi. Kjo ka qenë arsyeja që t’i qëndroj afër”, tha ai.

Ai shtoi se pas takimit ishte kthyer në Gjakovë me të pandehurin tjetër.

“Kur kam dashur të dal nga Naimi, unë i kam thënë Naimit që më pret Graniti në qytet, dhe Naimi ka insistuar që të më çojë, s’ke nevojë me shku me taxi, të çoj unë. Po më ka përcjellë dhe aty ka qenë duke më pritur Graniti”, tha ai.

Kokalla tha se nuk ka njohuri për raportin mes të pandehurve të tjerë.

“Unë nuk kam pasur rast t’i shoh bashkë Naimin dhe Granitin, por nuk mund të them që këta nuk janë njohur më herët, pasi ata janë bashkëfshatarë siç jam edhe unë bashkëfshatar i tyre. 5 deri 10 minuta kemi qëndruar. Ka pasur biseda të rëndomta, por jo të veçanta. Nuk kam dëgjuar ndonjë bisedë të veçantë. Unë bashkë me Granitin jemi kthyer në Gjakovë, Naimi në Prishtinë. Sa më kujtohet, jemi kthyer rreth orës 21:00.”

Ai konfirmoi gjithashtu se kishte ndarë numrin e telefonit të njërit të akuzuar me tjetrin.

“Më duhet të potencoj se pasi kemi ardhur në shtëpitë tona, mua më ka shkruar Naimi në ËhatsApp dhe më ka kërkuar numrin e Granitit. Unë ia kam përcjellë”, tha ai.

Sipas aktakuzës, Kokalla ngarkohet se në bashkëkryerje me të pandehurit Naim Murseli dhe Granit Plava ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Sipas aktakuzës, pasi që Naim Murseli, ka kërkuar nga Kushtrim Kokalla që të gjejë mundësi për vrasjen e Liridona Ademajt dhe ai ka refuzuar, Kushtrimi ka gjetur të pandehurin e dytë, Granit Plava, me të cilin e ka njoftuar Naim Murselin. Të tre akuzohen se janë dakorduar që Graniti ta kryejë vrasjen me marrëveshje që Naimi t’i paguajë kompensim në shumë prej 30 mijë euro. Dyshimet janë se Murseli me datë 29 nëntor 2023 ka siguruar armën e zjarrit, të cilën ia ka dhënë Plavës, e që armën e ka përdorur për vrasjen e të ndjerës Liridona Ademajt.

Gjithashtu, i akuzuari Kushtrim Kokalla ngarkohet edhe për veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”.

Të ngjashme