Kombëtarja e Shqipërisë po përballet me disa probleme të mëdha para dy sfidave të radhës në kualifikimet e Euro 2020.
Për trajnerin Edoardo Reja kanë filluar kokëçarje pas zhvillimeve të fundit përbrenda kampit ‘Kuq e zi’.
Tre lojtarë kanë lëshuar kampin, për arsye të ndryshme, duke filluar nga dëmtimet, arsyet personale e deri tek angazhimet me skuadrat përkatëse.
Ledian Memushaj, Egzon Binaku dhe Eros Grezda nuk do t’i ndihmojnë skuadrës në dy ndeshjet e radhës, siç njofton FSHF, përcjell lajmi.net.
“Ka ndryshime në listën e kombëtares A për dy ndeshjet zyrtare ndaj Islandës në transfertë më 8 qershor dhe Moldavisë në “Elbasan Arena” më 11 qershor ora 20:45.Egzon Binaku është dëmtuar në ekipin e tij IFK Norrkoping në ligën suedeze dhe në këto kushte e ka të pamundur të bashkohet me kuqezinjtë. Poashtu mesfushori Ledian Memushaj i grumbulluar me përfaqësuesen në kompleksin “Tropikal” ka shfaqur probleme fizike duke e bërë të pamundur rikuperimin në kohë për dy përballjet. Një tjetër futbollist që do të mungojë është edhe Marash Kumbulla, i cili për shkak të angazhimit me klubin e tij, Hellas Verona në Itali do të bashkohet me U-21 në datë 3 qershor për transfertën e Turqisë” thuhet në njoftimin e FSHF.
Gjithashtu, rreth mungesës së Eros Grezdës, thuhet se lojtari është larguar për arsye personale.
Vendin e Grezdës në kombëtare do ta zë lojtari i Partizanit, Lorenc Trashi.