Vdekja e Faton Osmanit, gazetarit dhe themeluesit të Agjencisë së Lajmeve “Ekonomia Online” ka trishtuar komunitetin e gazetarëve në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Kolegë e miq të tij i kanë shprehur ngushëllime familjes, si dhe komunitetit të gazetarëve për ndarjen nga jeta të Osmanit, duke e cilësuar humbje për gazetarinë në vendin tonë.
Publicisti Halil Matoshi ka ngushëlluar familjen dhe kolegët për vdekjen e Faton Osmanit.
“Pusho në paqen e pasosur Faton! Paska ikë i ri (49-vjeç) e pa paralajmërim, kolegu ynë nga gazeta Lajm, Faton Osmani. Me Fatonin punuam bashkë (2004-2006) dhe ruaj për të respekt. I kfjellt, mik dhe bashkëpunëtor i mirë. Ai ishte themelues i medias Ekonomia Online! Pushoftë i qetë në amshim, siç ishte në jetë! Ngushëllime familjes dhe kolegëve!”, ka shkruar ai.
Zëdhënësi i BQK-së, dhe koleg i dikurshëm i Osmanit, Besnik Kada ka shkruar se Fatoni ishte kolegë e profesionist i rrallë i fushës dhe mik i fjalës së lirë. “Lamtumirë Mik! Sot na paska lënë njëri nga ikonat e kontributndërtuesit e gazetarisë së Kosovës së pasluftës Faton Osmani! Ishe kolegë e profesionist i rrallë i fushës dhe mik i fjalës së lirë ! Prehu në paqe të pasosune mik i mirë jo vetëm i komunitetit të gjerë të masmedias shqiptare por edhe mik dhe përkrahës i ndërtimit të institucioneve. Të past dritë shpirti ”, ka shkruar Kada në ngushëllimin e tij të shpërndarë në rrjetin social Facebook.
Redaktorja e Radio Kosovës, Serbeze Haxhiaj ka thënë se lajmi për ndarjen nga jeta të Osmanit e ka trishtuar. “Prehu në paqe Faton, sa trishtim kur kolegët ikin kaq shpejt!”, ka shkruar Haxhiaj.
Edhe gazetari Alban Selimi që po ashtu së bashku me Haxhiajn, kanë punuar së bashku me të ndjerin Osmani në gazetën Lajm, ka shkruar se ky lajm ishte shumë i rëndë për të. “Një lajm shume i rëndë. E pa besueshme një humbje kaq e madhe dhe e parakohshme. Prehu në paqe Faton Osmani”, ka shkruar Selimi.
Arsim Lani redaktor në T7 ka thënë se është shumë trishtues lajmi për ndarjen nga jeta të Faton Osmanit. “Trishtues lajmi për vdekjen e shokut dhe kolegut, Faton Osmani. Ngushëllimet me të sinqerta për familjen, miqtë dhe kolegët!”, shkruan Lani.
Xhemajl Rexha, kryetar i AGK-së ka thënë se vdekja e Osmanit është një lajm shumë i hidhur.
“Lajm shumë i hidhur këtë mëngjes ky për ndarjen nga jeta të kolegut, Faton Osmani, me të cilin kemi punuar bashkë disa vjet në KTV. Ngushëllime për familjen Osmani, redaksinë e Ekonomia Online dhe gjithë komunitetin medial.”, shkruan Rexha.
Diana Bunjaku nga gazeta “Zëri”, ka shkruar se në këtë ditë ky ishte lajm shumë i trishtë. ” Lajm shumë i trishtë. Do të kujtojmë gjithmonë shoku dhe kolegu jone i mirë Faton”, ka shkruar Bunjaku.
Ardiana Thaçi nga KlanKosova ka thënë se Faton Osmani nga hiçi krijoi portalin e vet si agjenci lajmesh.
“Me Fatonin punuam pak në KTV, por bashkëpunuam gjatë si dy gazetarë. Ai nga hiçi krijoi portalin e vet si agjenci lajmesh. Sot Fatoni paska ikur nga kjo botë. Ngushëllime Seki Osmani familjes dhe shoqërisë”, ka shkruar Thaçi.