Kryeministri Albin Kurti emëroi kardiokirurgun Rifat Latifi ministër të Shëndetësisë, por ky i fundit nuk ka bërë të ditur se cili do të jetë programi, planet e puna që e pret për vitin 2022.
Për këtë ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në një intervistë për Ekonomia Online thotë se ministri Latifi duhet që në mënyrë urgjente të angazhohet ngase në shëndetësi sepse ka shumë defekte, duke u nisur nga mungesa e barnave insulinës dhe mungesa e dhënies së shërbimeve.
“Dëgjojmë se ka shumë defekte, mungesë të barnave nga lista esenciale, mungesë të insulinës, dhënies së shërbimeve jo raportim të rregullt të dhënies së vaksinës kundër gripit sezonal. Janë disa çështje që ministri i ri në mënyrë urgjente duhet të ketë raportim dhe deklarime publike se çka është duke ndodhur me këto. Duhet të përqendrohet në ofrimin e shërbimeve të rregullta shëndetësore, në rritjen e kapaciteteve në vazhdimësi humane dhe të infrastrukturës”.
Ish-ministri Zemaj tha se buxheti i vitit 2022 tashmë është i hindikepuar nga Qeveria sepse është ulur përkrahja për këtë ministri me 56 milionë euro më pak.
“Tash më shumë se 56 milionë janë më pak sesa në vitin 2021 sidomos me pjesën që ndërlidhet me rishikim buxhetor dhe përkrahjen ndërkombëtare e cila nuk po e shohim pothuajse fare. Është obligim i ministrit të Shëndetësisë që të jetë më proaktiv dhe të japë dëshmi të punës që fatkeqësisht janë të pakta ato që po i shohim”, tha Zemaj.
Ndërsa kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu tha se ministrin Latifi e njeh qe 20 vjet si një person pragmatik dhe praktik, duke shtuar se ka pasur bashkëpunim të mirë me të.
“Ministrin Latifi unë e njoh tash e 20 vjet si një njeri pragmatik dhe praktik ashtu siç e kanë mentalitetin amerikan dhe besoj se mund të bëhet një punë e mirë. Ne kemi pasur një bashkëpunim mjaft të mirë por jo çdo herë. Kështu që ne jemi çdo herë pjesë e këtyre bashkëpunimeve në vazhdimësi”, tha Sejdiu.
E drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj është i bindur se Latifi do të bëjë më të mirën e mundshme për shëndetin e popullit.
“Ministri është ministër i joni. Ai do të bëjë më të mirën të mundshme për shëndetin e popullit. Është punë e instancave që merren me hulumtimin e punëve të ministrisë dhe të qeverisë në përgjithësi”.
Përderisa kardiokirurgu i Pediatrisë, Ramush Bejiqi shpreson të ketë projekte konkrete nga ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi, duke theksuar nevojën dhe përkrahjen nga politikbërsit që të formohet shërbimin i Kardiokirurgjisë Pediatrike dhe Invazive.
“Është mirë që ministri është kirurg. Mendojmë se vjen nga një rreth ku e njeh rëndësinë e kardiokirurgjisë dhe Kardiokirurgjisë Pediatrike dhe pres që në suaza të QKUK-së dhe Klinikës Pediatrike me një projekt konkret që unë besoj se do ta shtyj atë projekt dhe ne do të fillojmë me shërbimin e kardiologjisë dhe Kardiokirurgjisë Pediatrike”, tha ai për EO.
“Atë që i them ministrit është se ne kemi nivel të lakmueshëm të zhvillimit të Kardiokirurgjisë Pediatrike dhe na duhet përkrahje nga politikbërsit që të formojmë shërbimin e Kardiokirurgjisë Pediatrike dhe Invazive ashtu që të bëhemi një qendër referuese në Ballkan”, tha Bejiqi.