Kolegji AAB diskuton për rreziqet e “Ikjes së trurit”

Prishtinë | 28 Pri 2018 | 13:35 | Nga

Proceset dhe zhvillimet e reja integruese të vendit tonë në familjen e madhe evropiane, që pritet të pasojnë edhe në ditët në vijim, ishin shkas që Fakulteti Ekonomik i Kolegjit AAB të organizojë tryezë diskutimi në një nga temat më të ndieshme nëpër të cilat kanë kaluar edhe vendet në tranzicion e që është “ikja e trurit” apo “brain drain”.

Në këtë tryezë në të cilën ishin të ftuar njerëz me kompetenca akademike e profesionale të kësaj fushe, rektori i Kolegjit AAB, prof.dr. Lulzim Tafa, tha me strategjinë e re të BE-së për zgjerim dhe mundësinë e hapjes së rrugës së liberalizimit të vizave për vendin tonë, medoemos do të ballafaqohemi edhe me çështje të këtilla. Prandaj, tha rektori Tafa, është me rëndësi për ne të bëjmë një analizë të asaj, nëse ekonomia dhe shoqëria kosovare janë gati për integrim? Nëse ne kemi bëë gjithëçka që duhet që rinia jonë të ketë perspektivë në Kosovë edhe pas liberalizimit të vizave? Nëse bizneset kosovare janë gati për konkurrencën e shtuar në një treg të liberalizuar evropian?

Rektori Tafa, duke folur për rëndësinë e kësaj tryeze të cilën e ka organizuar Fakulteti, tha se Kolegji AAB është duke punuar intensivisht për të shtuar mobilitetin e forcës kosovare të punës.
“Ne jemi për një mobilitet dinjitoz të njerëzve të Kosovës në tregun europian të punës. Kjo mund të realizohet vetëm nëpërmjet personave me kualifikime cilësore, relevante dhe në përputhje me standardet europiane. Ne jemi duke punuar që njerëzit tanë të jenë forcë atraktive punuese këtu në Kosovë – jo meodemos në Europë. Ne jemi duke punuar që kualifikimet që ofron AAB të ndihmojnë para së gjithash në nxitjen e investimeve të jashtme e jo për ikjen e personave të kualifikuar jashtë vendit”, tha rektori Tafa.

Sipas tij, që kjo të ndodhë, është e domosdoshme që edhe shteti i Kosovës të sjellë politika ekonomike e fiskale që lehtësojnë investimet e jashtme, të luftojë korrupsionin, dhe të përkrahë institucionet e arsimit e të aftësimit që ofrojnë programe relevante e cilësore.

Akademik Abdylmenaf Bexheti, nga Universiteti i Evropës Juglindore në Maqedoni, duke theksuar se ky fenomen nuk mund të përkufizohet si lokal apo regjional, ai u ndal në trajtimin global të fenomenit “Brain-Drain”, duke nënvizuar se kjo është brengë e OKB-së, e cila një njëfarë forme këtë fenomen e cilëson si ekzodus akademik.

Ai tha se thithja e trurit nga qendrat globale të liberalizuara, japin përfitime për to ndërsa në rrafshin lokal e regjional kostot e saj mbetet të barten nga ne.

Duke folur për shkaqet që e shkaktojnë këtë fenomen, Bexheti tha se të gjitha studimet dhe analizat që i kanë bërë studiues të fushës, nënvizojnë dhe nuk kontestojnë arsyen që është ajo ekonomike, por sipas akademik Bexhetit, ekzistojnë edhe diçka përtej ekonomisë. Përveç zhvillimit të dobtë ekonomik të vendeve nga të cilat ndodh ky fenomen – drejt vendeve më të zhvilluara, kjo lidhet edhe me aspektin e të ardhurave si dhe me komponentën e regjioneve, qofshin me kriza sociale apo të sigurisë.

“Në shkaqet jo-ekonomike ky fenomen i referohet debatimit të sistemit të vlerave në përgjithësi, që është çështje shumë komplekse. Në këtë komponentë do të nënvizoja ndërtimin dhe përspektivën e karrierës”, tha akademik Abdylmenaf Bexheti nga UEJL.

Ndërsa, prof. Stefan Qirici nga Shqipëria, tha se ky fenomen kërkon vëmendje të veçantë sidomos nga ne, universitetet e akademia, në trajtimin kompleks të këtij problemi. Ai tha se edhe qeveritë lokale duhet të ndërmarrin masat për këtë fenomen, jo duke e ndaluar atë tërësisht por duke e kthyer në përfitim tonin nga kjo. Ai theksoi anët negative dhe pozitive të “ikjes së trurit” nga vendet tona.

Qirici tha se ky fenomen ndikon negativisht në ngritjen ekonomike, në proceset demografike, në të gjitha aspektet sociale dhe hap probleme të mprehta. Por, në anën tjetër, theksoi ai, siç është theksuar edhe nga studiues të ndryshëm, nëse bëhet fjalë për migracion të përkohshëm, kjo do të ketë efekt pozitiv, sepse ata individë që përkohësisht kanë qëndruar jashtë kanë marrë eksperienca qoftë profesionale, qoftë akademike dhe atë njohuri do ta bartin dhe sjellin në vendin tonë.

Për shkaqet dhe pasojat e fenomenit brain drain foli edhe ministri i Ministrisë së Financave, Bedri Hamza, i cili tha se një ndër faktorët kryesorë që e nxisin këtë fenomen është papunësia. Prandaj ne duhet të merremi seriozisht me këtë, tha Hamza, duke nënvizuar se parakushti kryesor për një shkallë më të lartë të punsueshmërisë është ërritja ekonomike.
“Kosova viteve të fundit ka pasur një rritje ekonomike pozitive, ku mesatarja ka qenë 3 deri në 4% . Mirëpo a është e mjaftueshme kjo rritje ekonomike që t’ i absorbojë të gjithë të rinjtë? Për t’u adresuar ky problem, Kosova duhet të ketë një rritje ekonomike prej 6 deri në 8 %”, tha ministri Hamza.

Ai porositi studentët që të mos ta shikojnë vetëm sektorin publik për punë, sepse sipas tij, pjesa e madhe e të punësuarve janë në sektore private dhe se Kosova është një vend me treg të lirë ku sektori privat është bartës i rritjes ekonomike.

Fjalën në këtë tryezë e morën edhe dekani i Fakultetit Ekonomik të Kolegjit AAB, Shaip Bytyqi si dhe drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka.

Në kuadër të kësaj tryeze pati edhe diskutime me studentët të cilët shprehën qëndrimet e tyre dhe morën opinionet e panelistëve për çështjet dhe dilemat që kishin ata për fenomenin “brain-drain”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme