Me një ceremoni solemne, Kolegji AAB ka hapur edicionin e parë të Panairit Vjeshtor AAB 2018.
Hapjen e Panairit e bëri rektori i Kolegjit AAB, prof.dr. Lulzim TAFA, i cili para të pranishmëve theksoi se AAB tashmë i ka dhuruar Kosovës shumë ngjarje kulturore e artistike, por se kjo e sotshmja është e një rëndësie të veçantë pasiqë në fokus ka studentin.
“Ne kemi panaire që mbahen në ambiente shqiptare si ai i Pranverës në Prishtinë, i Nëntorit në Tiranë e të tjerë, por nuk kemi pasur një panair ku libri i ofrohet studentit. Prandaj, edhe qëllimi i këtij panairi është që librari të jetë një me lexuesin. Studenti nuk është një lexues si të gjithë të tjerët por është një lexues që leximin e ka jo vetëm pasion por edhe detyrim. Kjo e bënë të veçantë këtë panair”, shtoi rektori Tafa.
Ai tha se pjesë e këtij panairi përveç studentëve të Kolegjit AAB, hapësirë për pjesëmarrje do të kenë edhe vizitorët e tjerë nga vendi e rajoni, ku me këtë rast do të mund të gjejnë libra të zhanreve të ndryshëm që ky panair i librit ofron këtë vit.
“… edhe pse mbahet në ambiente univeristare ky panair nuk ka kufizime, por është i hapur për gjithë adhuruesit e librit që dëshirojnë të shijojnë atë që ofron libri të cilin ju dhe ne sot e ofrojmë për lexuesit” tha rektori Tafa.
Hapjen e Panairit e përshëndeti edhe Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit z. Leonora Morina Bunjaku, e cila përgëzoi Kolegjin AAB për organizimin e kësaj ngjarjeje me rëndësi të madhe për dashamirësit e librit.
“Një përgëzim i veçantë për këtë aktivitet shumë të rëndësishëm i cili nuk duhet të konsiderohet një aktivitet fjalimesh por leximesh, i cili në fakt duhet të krijohet si një traditë në të gjitha familjet si pjesë e komunitetit dhe shoqërisë kosovare. Sot si kurrë më parë lexuesit kanë mundësi të shumta që të shërbehen me libra të fushave të ndryshme”, tha Morina Bunjaku.
Panairin e përshëndetën edhe Ambasada e Shqipërisë në Kosovë dhe Shoqata e Botuesve të Kosovës.
Panairi i Librit AAB 2018 do të jetë i hapur për vizitorë deri më datë 07 tetor nga ora 10:00 deri në orën 18:00, ndërsa, qindra tituj e mijëra ekzemplarë nga rreth 50 botues nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia, do të jenë në dispozicionin tuaj me oferta të veçanta.
Të gjitha Shtëpitë Botuese, pjesëmarrëse të edicionit të parë të Panairit AAB 2018, u shprehën të befasuar me organizimin dhe ambientet e panairit të sivjetmë, duke e krahasuar madje edhe me panaire ndërkombëtare, si ai i Frankurtit.