Kolegji “Tempulli”, në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Komunën e Prishtinës, kanë organizuar tryezën me temën “Rrethrrotullimet në Kosovë, lehtësim apo vështirësim për një mobilitet të qëndrueshëm”.
Kjo tryezë kishte për qëllim që të bashkojë institucionet përkatëse qeveritare dhe palët tjera te interesit për të diskutuar për gjendjen aktuale të funksionimit të rrethrrotullimeve në Kosovë.
Drejtori i Kolegjit “Tempulli”, Muhamed Krasniqi, tha se në rrugët e Kosovës ka telashe reale në zhvillimin e trafikut të përditshëm rrugor.
“Rreth-rrotullimet, fatkeqësisht, kohët e fundit kanë filluar të ndërtohen në sistemin copy-paste pa i bërë analizat e thukëta se a janë zgjedhja më e mirë e mundshme për segmente të caktuara rrugore”, tha ai.
Problemi më i madh, sipas tij, është se këto rreth-rrotullime sidomos në hyrje dhe dalje të qytetit kanë filluar të shkaktojnë telashe të mëdha, përfshirë vonesa. “Mirëpo mbi të gjitha edhe elementet e pasigurisë janë mjaft prezente. Shpeshherë në rreth-rrotullimet në Kosovë shohim edhe aksidente të trafikut”.
Krasniqi mendon që ky problem do të zbutet me seminaret që do t’i organizojnë, në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës, për kandidatë dhe shoferët e rinj.
“Ndryshe do të mësohen në autoshkollë rreth-rrotullimet e ndryshe mësohet kur vjen puna e vlerësimit të njohurive gjatë programit në autoshkollë”.
Burim Krasniqi, drejtor i Departamentit për Shërbime të Transportit në Ministrinë e Infrastrukturës, e pranon se ka defekte të zgjidhjes së problemeve në shumë nga rreth-rrotullime. “Kjo mund të vijë si pasojë e kompanive projektuese”.
Ky zyrtar i MI-së thotë se ka dilema kur duhet të vendoset a të trajtohet një udhëkryq si kryqëzim klasik apo si kryqëzim me rreth-rrotullim, apo në disa nivele. “Kryqëzimet në disa nivel janë zgjidhjet më të mira të mundshme sepse kanë pika më të vogla të konfliktit edhe rrjedha e trafikut është më e mirë; dhe si zgjedhje e dytë janë rreth-rrotullimet. Mirëpo në rrugët nacionale edhe ato rajonale shfaqet problemi i shpejtësisë së lëvizjes kur mbërrihet në ato rreth-rrotullime”, shtoi Krasniqi.
Ai theksoi se rreth-rrotullimet ndoshta janë zgjedhja më e mirë në zona të banuar, pasi e mbajnë rrjedhën e trafikut në normalitet dhe detyrojnë ngasësit të ulin shpejtësinë.