Kolegji Universum hap vitin e ri akademik: Ky nuk është thjesht arsim i lartë, por arsim i klasit botëror

Prishtinë | 07 Tet 2025 | 12:59 | Nga Drita Dërmaku

Kolegji Universum ka mbajtur sot “Ceremoninë e Hapjes së Vitit Akademik 2025/2026”, ku morën pjesë drejtues të lartë të institucionit dhe studentë të rinj nga e gjithë Kosova, raporton Ekonomia Online.

Në fjalën hapëse, Zëvendës Presidenti Ekzekutiv, Uran Rraci, uroi studentët për fillimin e një etape të re akademike.

“Kjo javë shënon fillimin e një udhëtimi të jashtëzakonshëm që secili prej jush do të nisë, dhe është një privilegj për ne të jemi pjesë e këtij momenti të kaq rëndësishëm në jetën tuaj,” tha Rraci.

Ai theksoi rëndësinë e përshtatjes me kohën dhe sfidat bashkëkohore, duke përmendur krizën e pandemisë si pikë kthese në arsimin global.

 “Pak vite më parë, arsimi u gjend në një udhëkryq. Ose duhej të ndryshonim qasjen tonë, ose të mbeteshim institucione të prapambetura që nuk i përgjigjen kërkesave tuaja si studentë. Ne zgjodhëm ndryshimin. Këtë ndryshim e kemi bërë edhe më të fuqishëm duke u bërë partner strategjik i Arizona State University, universiteti më i madh publik në Amerikë dhe institucioni më inovativ në dekadën e fundit”, tha ai.

Ndërkohë, Zëvendësja Presidente për Çështjet Akademike, Dekanja Isabel Salvat, foli për rëndësinë e transformimit përmes edukimit dhe vlerat që përbëjnë themelet e Kolegjit Universum.

“Me krenari të madhe dhe gëzim të thellë ju mirëpres në Universum International College, një institucion që përfaqëson ekselencën, inovacionin dhe arsimin global, me mbështetjen krenare të Arizona State University. Kjo nuk është thjesht arsim i lartë. Kjo është arsim i klasit botëror — pikërisht këtu, në Kosovë”, tha ajo.

Në fund të fjalës së saj, dekanja ndau me studentët vlerat themelore që udhëheqin misionin e Kolegjit Universum:

“Më lejoni t’ju rikujtoj vlerat që na përcaktojnë — parimet që do ta udhëheqin rrugëtimin tuaj: Ekselenca — sepse besojmë që ‘mirë’ nuk mjafton kur ‘shkëlqyeshëm’ është e mundur. Inovacioni — sepse e ardhmja i përket atyre që guxojnë të mendojnë ndryshe. Integriteti — sepse arritjet e vërteta ndërtohen mbi ndershmëri dhe përgjegjësi. Diversiteti dhe Përfshirja — sepse dallimet tona na bëjnë më të fortë, dhe këndvështrimet tona na bëjnë më të mençur. Mendësia Globale — sepse sfidat kërkojnë mirëkuptim përtej kufijve. Komuniteti — sepse arsimi është një përpjekje kolektive“, shtoi ajo.

Ceremonia përfundoi me aktivitete mirëseardhjeje për studentët e rinj.

Të ngjashme