Është hapur në Prishtinë, ekspozita “Koleksioni Francez” nga Muzeu i Artit Bashkëkohor i Shkupit, raporton Ekonomia Online.
Ambasadori francez në Kosovë, Didier Chabert, tha se kjo ekspozitë tregon se janë dëshmirë të një historie. Ai tha se pavarësisht që sonte zhvillohet një ndeshje e rëndësishme futboli, sipas tij, edhe ekspozita është një ndeshje.
“E di se sonte do terë një ndeshje futbolli por edhe ekspozita është një ndeshje. Kjo ekspozitë organizohet në kuadër të Frankofonisë. Është hera e parë që një ekspozitë e tillë po shfaqet në Prishtinë. Është koment prekës sepse kur po festojmë 20 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s këtë herë po shënojmë ndërhyrjen e artit francez. Është moment i shkëmbimeve të artit. Ekspozita tregon se jemi trashëgimtar të një historie”, u shpreh Chabert.
Në këtë ekspozitë mori pjesë edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi. Ai u shpreh i lumtur që është hapur kjo ekspozitë në Prishtinë. Sipas tij, Kosova do të paraqitet me punimet e saj edhe në Shkup.
“Kjo ngjarje tregon edhe një herë për një bashkëpunim të jashtëzakonshëm ndërmjet Kosovës, Maqedonisë dhe Francës. Jam i lumtur që edhe për një të ardhme të shkurtër do kemi bashkëpunim të mirë. Kosova do paraqitet me ekspozitë në Shkup dhe e njëjta do ndodhë anasjelltas. Unë jam këtu në emër të Qeverisë që të falënderoj të gjithë artistët”, u shpreh Gashi, raporton Ekonomia Online.
Këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Ardian Arifaj, tha se ka solidaritet ndërmjet popujve të vendeve të ndryshme. Sipas tij, të tjerët kanë qenë solidarë me popullin e Kosovës.
“Origjina e kësaj ekspozitë është solidaritet i popujve. Një solidaritet të tillë e kemi përjetuar edhe ne 20 vjet përpara. Ka qenë edhe gjenocid kulturor duke dashtë të shfarosë atë. Prandaj Rindërtimi ka qenë një rindërtim kulturor e shpirtëror”, u shpreh Arifaj.