Janet Jackson po e shet një koleksion me gjëra personale në një ankand të të famshmëve, i cili pritet të mbahet muajin e ardhshëm.
Ankandi do ta nderojë yllin legjendar të muzikës pop dhe karrierën e saj të jashtëzakonshme katër dekadëshe, që e ndryshoi tregun e muzikës përgjithmonë, si dhe i hapi dyert për gjenerata të shumta artistësh të cilët e ndoqën rrugën e saj drejt suksesit.
Ngjarja e cila pritet të zgjasë tri ditë dhe vjen e organizuar nga shtëpia e ankandeve “Julien”, do të mbahet më 14,15 dhe 16 maj, dhe njëkohësisht e shënon ditëlindjen e 55-të të Janet Jacksonit.
Më shumë se 1 mijë artikuj pritet të dalin shitje në këtë ankad, në mesin e së cilëve do të jetë edhe fustani i nusërisë së Jacksonit, nga martesa e saj e fshehtë me valltarin René Elizondo Jr. në vitin 1991. Ndër artikujt e tjerë të koleksionit përfshihet edhe xhaketa ikonike ushtarake të cilën e kishte veshur në videklipin e hitit “Rhythm Nation”, dhe vothi i saj i argjendit me një çelës të varur.
Por çka pritet ta rrëmbejë interesimin më të madh të blerësve të koleksionit, është veshja e videoprojektit “Scream” që e solli atë në duet me vëllain e ndjerë, Michael Jackson. Atëkohë, ky ishte videoklipi më i shtrenjtë për t’u realizuar, me një kosto prej 7 milionë dollarëve.
Më 19 prill në kafenenë “Hard Rock Café” në Londër do të zërë vend një ekspozitë e rrallë me kostumet dhe sendet personale të yllit të hitit “Control”, para se ato të transferohen në New York dhe pastaj në Los Angeles, pak para ankandit.
Duke folur për gazetën “The Observer”, drejori ekzekutiv i shtëpisë së ankandeve “Julien”, Martin Nolan, tha se organizimi i këtij ankandi ishte një projekt katartik për këngëtaren.
Ankandi pritet t’i arkëtojë miliona dollar nga shitja e gjërave personale të Jacksonit, me ç’rast një pjesë e këtyre të hollave do të dhurohen për organizatën bamirëse “Compassion International”, e cila bashkëpunon me kasha anembanë botës për t’i ndihmuar fëmijët në nevojë.
Në lajme të tjera, një dokumentar i ri dy pjesësh i cili e eksploron jetën e Janet Jacksonit, do të lansohet vitin e ardhshëm.
Filmi me titull “Janet”, ka për qëllim ta festojë 40-vjetorin e lansimit të albumit debutues të këngëtares.