Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka protestuar për të kërkuar drejtësi për Marigona Osmanin dhe ndëshkim maksimal për vrasësit e saj para Gjykatës Themelore në Ferizaj, raporton Ekonomia Online.
Protestuesit mbanin në duar pankarta me mbishkrime si “Dënim maksimal për Dardan Krivaqën dhe Arbër Sejdiun” e “Motivi i vrasjes: Patriarkaliteti”.
Bjeshka Guri, aktiviste tha se nuk duhet të lejohet që Marigona Osmani të vritet për herë të dytë nga shteti.
Ajo ka kërkuar dënim maksimal për dy të dyshuarit për vrasjen e Marigonës.
“Të dashura të pranishme e të dashur të pranishëm, jemi mbledhë këtu, në ditën e shpalljes së aktgjykimit ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut për vrasjen e Marigona Osmanit, për të mos lejuar që padrejtësia për Marigonën të vazhdojë edhe për s’vdekuni. Jemi mbledhë këtu meqë jemi dëshmitare se gjykatat në Kosovë kanë amnistuar vazhdimisht burrat që kanë vrarë gratë, duke i lënë të lirë e me dënime shumë të ulëta”.
“Krivaqa dhe Sejdiu e vranë Marigonën me 22 gusht 2021. E sot, kur po i afrohemi dy vjetorit të vrasjes së saj, nuk mund të lejojmë që ajo të vritet nga shteti për herë të dytë. Nuk mund të qëndrojmë të qeta përderisa kjo gjykatë e çdo institucion tjetër shtetëror rreshtohet në anën e grave. Ne e kemi theksuar që nga kjo gjykatë duam asgjë më pak se dënime maksimale për Krivaqën dhe Sejdiun. E nga këtu, çojmë mesazhe për çdo institucion që t’i mbrojë gratë para se të jetë shumë vonë dhe prapë e theksojmë që shteti duhet ta trajtojë femicidin si urgjencë shtetërore. Ne kemi ardhë këtu, e këtu do të presim e rezistojmë deri sa të vendoset pak drejtësi për Marigonën e siguri për çdo vajzë e grua në Kosovë”.
Sipas aktakuzës, më 22 gusht 2021, në banesën e të pandehurit Dardan Krivaqa, në rrugën “Ramadan “Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje dhe në bashkëkryerje, me qëllim të fshehjes së veprës penale dhunimi e Krivaqa e ka privuar nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me të cilën ai ishte në bashkësi jashtëmartesore.
Më poshtë gjeni kronologjinë e rastit:
22 gusht 2021 – Marigona Osmani, 18-vjeçare, vdes. Dardan Krivaqa, i cili jetonte me Marigonën në bashkësi jashtëmartesore, si dhe Arbër Sejdiu, akuzohen se me dashje dhe në bashkëkryerje e vranë 18-vjeçaren në Ferizaj, në tentim për ta fshehur kryerjen e veprës penale dhunimi një ditë më parë.
14 korrik 2022 – Mbahet seanca fillestare e këtij rasti. Arbër Sejdiu deklarohet i pafajshëm, ndërsa Dardan Krivaqa mbrohet në heshtje.
23 gusht 2022 – Avokatët e Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut kërkojnë hudhjen e aktakuzës.
2 shtator 2022 – Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut u konfirmohet aktakuza, pasi gjyqtari i rastit, Sahit Krasniqi, hedh poshtë kërkesën për hudhje të aktakuzës.
24 janar 2023 – Gjyqtari Sahit Krasniqi aprovon propozimin për ekzaminimin psikiatrik ndaj Dardan Krivaqës. Raporti i Institutit të Forenzikës konstaton se Krivaqa nuk ka asnjë çrregullim apo sëmundje mendore psikotike.
6 korrik 2023 – Dardan Krivaqa sërish mbrohet në heshtje.
1 gusht 2023 – Jepen fjalët përfundimtare. Avokati i familjes së 18-vjeçares së vrarë kërkon dënim maksimal, ndërsa avokati i Krivaqës thotë se, kur të merret vendimi për dënimin, duhet të merret parasysh që “vepra penale është kryer nën ndikimin e lëndëve narkotike”, shkruan REL.
Avokati i palës së dëmtuar, familjes Osmani, Gazmend Rexhepi ka kërkuar që ndaj të akuzuarve të shpallet dënimi kapital.
Sipas Kodit Penal te Kosovës, ky dënim më i rëndi që e njohin ligjet e Kosovës është ai me burgim të përjetshëm.
Ndërkohë familja e 18-vjeçares Marigona Osmani pritet të kërkojë dëmshperblim dhe do të parashtrojë kërkesë për mbrojtje pasurore juridike pas përfundimit të këtij gjyqi.
Sipas të dëmtuarve, vrasja e Marigona Osmanit është më e rënda nga paslufta dhe është ende më mizore se sa që është paraqitur në aktakuzë.