Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist me aksion simbolik për 1 Maj

Prishtinë | 01 Maj 2026 | 10:19 | Nga Ekonomia Online

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist me rastin e shënimit të 1 Majit, Ditës së Punëtorëve, në shenjë proteste e kanë bllokuar rrugën të Katedralja, duke vlerësuar se klasa punëtore punon për ta ndërtuar një shtet, që sipas tyre, nuk u përket punëtorëve, por kapitalistëve në publik e privat.

“Punëtorja e punëtori sot përballet me jetë që po bëhet çdo herë e më e pajetueshme, duke kryer punë të shumëfishta, pa siguri sociale, me çmime të papërballueshme, shpërfillje shtetërore e shfrytëzim privato-publik”, thuhet në reagimin e Kolektivit. 

Sipas reagimit punëtorët jetojnë për të punuar për “shefat dhe pushtetin politik. 

“Gratë amvise që e kryejnë punën kyçe që e mundëson shfrytëzimin kapitalist mbesin të stërlodhura e pa të ardhura bazë, pensionistet/ët marrin lëmosha që as barnat nuk ua mbulojnë, punëtorët/et në sektorin privat keqpaguhen, keqtrajtohen e edhe vriten në vendin e punës, personat e etnive të racializuara keqtrajtohen e përjashtohen, gratë punëtore abuzohen seksualisht, shtypen shumëfish, personat queer shpesh përjashtohen komplet prej tregut, personat neurodivergjentë e me aftësi të kufizuara ose keqpërdoren, ose shndërrohen në kartë të marketingut korporativ që i shfrytëzon kapitali për fitim”, thuhet në reagim.

Krejt kjo, thuhet se po bëhet, falë partneritetit të shtetit me kapitalin “që bashkëfunksionojnë për të na shtypur dhe shpartalluar”.

“Për ne Kosova, e ndërtuar prej djersës punëtore, po bëhet çdo ditë e më shumë parajsa e pushtetarëve e kapitalistëve e ferri ynë. Frytet e punës tonë dhe të tjerave/ëve para nesh nuk po i gëzojmë ne, por një pakicë e pushteteve që kanë lidhur aleancë për të shtruar zullumin kundrejt nesh me qëllim të grumbullimit kapitalist.

Sot, ne si klasë jemi e stërlodhur, copëtuar e subjekte të tentativave depolitizuese që vijnë prej lart dhe që duan të na mbajnë të hutuar, të rraskapitur, të varfër dhe të pashpresë. Nëpërmjet këtij breshëri sulmesh po lulëzojnë pushteti e kapitali që na shndërrojnë në mjete rritjeje e pasurimi, duke na zhveshur nga njerëzia dhe dinjiteti ynë.

Sot, ne e kemi suspenduar protestën si grumbullim simbolik si pikë reflektimi për të instituar ta kthejmë materialen dhe potencialin ndryshues të protestës, si rezistencë e jona ndaj tentativave për depolitizim të protestës dhe shndërrimit të saj në shëtitje simbolike që më së shumti alienon punëtoren/in që është në qoshe të sistemit. Këtë 1 Maj kumtojmë që është koha që protesta të paraqes prapë rrezik për pushtetin. Për ta bërë këtë, na duhet të besojmë te ndryshimi dhe forca e organizimit tonë si klasë punëtore të të gjitha sektoreve”

Të ngjashme