Nga qeveria “Kurti” është thënë se për dy vjet do të zbatohen sigurimet shëndetësore në vend. Për implementimin e tyre Kosova ka marrë mbështetje edhe nga Ministria e Shëndetësisë në Gjermani, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, e cila është edhe njohëse e fushës së shëndetësisë, ka thënë për “Zërin” se brenda dy vjetëve do të fillojë implementimi i Ligjit për Sigurimet Shëndetësore.
Ajo ka theksuar se fillimisht duhet të zbatohet projekti i sistemit informativ të shëndetësisë.
“Ne një kohë të gjatë kemi insistuar që fillimisht duhet të fillojë zbatimi i projektit të sistemit informativ shëndetësor. Ne kemi thënë se brenda dy vjetëve do të fillojmë implementimin e Ligjit për Sigurim Shëndetësor. Fillimisht ai duhet të ndryshohet dhe duhet t’i paraprijë fillimi i zbatimit të sistemit informativ shëndetësor, sepse neve na duhen të dhëna. Do të thotë, pa të dhëna nuk ka mundësi edhe të jetësohet ai”, ka potencuar ajo.