Në pikëkalimin kufitar të Merdares edhe sot janë krijuar kolona të gjata. Qytetarët janë ankuar se presin afërsisht 5 orë për të kaluar kontrollet në këtë pikë.
Tash kur fundi i muajit gusht po afrohet dhe bashkatdhetarët po kthehen në vendqëndrimet e tyre kolonat janë bërë të gjata e të padurueshme për ta, njofton Klan Kosova.
Rreth kësaj çështjeje është deklaruar edhe Daut Hoxha, zëdhënësi për media në Policinë e Kosovës.
“Policia e Kosovës sa i përket detyrave dhe autorizimeve të saj në vazhdimësi është duke punuar me intensitet të shtuar për të lehtësuar qarkullimin e njerëzve dhe automjeteve nëpër pika të kalimit kufitar”,tha ai.
“Në bazë të informacioneve që kemi ne këto qaste kur po raportojmë neper të gjitha pikat kufitare qarkullimi po zhvillohet normalisht, përveç në piken e kalimit kufitar në Merdar në dalje nga Kosova, në kufi me Serbinë, ku kemi fluks më të madh të automjeteve, dhe për pasoj edhe kolonat janë më të gjata si dhe pritjet zgjatin më shumë se në pikat tjera”.
“PK varësisht prej nevojave dhe rritjes së fluksit ndërmerr edhe masa konkrete për rritjen e kapaciteteve me personel si dhe aplikim të procedurave të përshpejtuara të kalimit. Ne përmes autoriteteve kompetente kemi kërkuar në vazhdimësi edhe nga pala serbe për procedura me të shpejta të kalimit kufitar që të mundësohet një qarkullim sa më i rrjedhshëm, pa pritje dhe pa kolona edhe nga ana tyre”, tha Hoxha.