Tash e disa ditë FSK-ja është duke operuar në Kosovë për ofrimin e mbështetjes me qëllim menaxhimin e situatës me zjarret. Ndërsa, të hënën pas autorizimit nga presidentja Vjosa Osmani, kanë operuar edhe në Shqipëri në operacionin e ndihmës për shuarjen e zjarrit në zonën e Kukësit, raporton Ekonomia Online.
Për këto operacione, shef i Departamentit të Operacionit të FSK-së, Kolonel Ejup Maqedonci, ka dhënë detaje në një bisedë me Ekonomia Online.
Maqedonci, ka thënë se në Kosovë kanë operuar në tri zona kryesore, ndër to në Shtupeq të Pejës dhe Oshlak të Prizrenit.
Madje, ai tha se është për t’u theksuar mbështetja e vazhdueshme nga KFOR-i me helikopter në territoret ku nuk ka mundur të veprojë FSK-ja.
“Tash e 12 ditë FSK-ja është duke operuar edhe të territorin e Kosovës për ofrimin e mbështetjes për autoritetet civile me qëllim menaxhimin e situatës me zjarret. Ne kemi pasur tri skuadra në vazhdimësi të gatishmërisë duke reaguar për fikjen dhe kontrollin e zjarreve në zona të ndryshme. Deri më tani kemi operuar në tri zona kryesore: Shtupeq të Pejës që vazhdon operimi i skuadrës sonë. Kemi qenë të angazhuar në fshatra të Suharekës dhe në Oshlak të Prizrenit. Është për tu theksuar mbështetja e vazhdueshme që kemi pasur nga KFOR me helikopter në territoret nuk kemi mundur të veprojmë me automjete. Në çdo kohë e kemi një skuadër që është duke mbikëqyrur zjarrin në Shtupeq të Pejës që shpeshherë janë më të mëdha”, tha Maqedonci.
Sipas tij, FSK-ja ka zbarkuar në Shqipëri me 32 pjesëtarë që në bashkëpunim me ekipet e zjarrfikësve të emergjencave, janë duke operuar në fikjen dhe kontrollin e zjarreve.
Kolonel Maqedonci theksoi se bazuar në informacione gjendja në Shqipëri për momentin është e qetë.
“Forca e Sigurisë së Kosovës me marrjen e autorizimit të presidentes ka lëshuar urdhër operacional nga shtabi i përgjithshëm për njësitin që janë në operacionin në Shqipëri dhe kemi ndërtuar një forcë për detyrë me fokus tri skuadra të zjarr fikjes. E kemi edhe një skuadër të kompanisë për operacione me civil që është e dizajnuar për të ndërtuar kontakte me autoritet shtetërore në Shqipëri dhe një ekip mjekësor e kemi dërguar që është në mbështetje të këtyre ekipeve. Në Shqipëri kemi zbarkuar me 32 pjesëtarë që në bashkëpunim me ekipet e zjarrfikësve të emergjencave janë duke operuar në fikjen dhe kontrollin e zjarreve në veri të Shqipërisë. Bazuar në informacione gjendja në Shqipëri është e qetë. Vatrat e zjarrit janë të përqendruara në perëndim të Kukësit dhe ekipet tona janë duke operuar në atë zonë dhe kanë fikur disa zjarre atje dhe kanë për qëllim shpëtimin e jetëve të njerëzve”, tha ai.
Mes tjerash, Maqedonci tha se fatmirësisht deri më tani Kosova nuk ka pasur nevojë për të ftuar ndonjë vend për ndonjë fatkeqësi.
“Fatmirësisht ne nuk kemi pasur nevojë deri më tani për të ftuar ndonjë vend për ndonjë fatkeqësi në Kosovë. Nuk kemi pasur fatkeqësi të nivelit të madh. Unë besoj që çdo vend në regjion ka kapacitetet të mjaftueshme kur nuk ballafaqohet vet me një fatkeqësi të ndihmojë tjetrin”.
Ndërsa, Toger Genti Koqinaj tha se përveç kontingjentit prej 32 pjesëtarëve në Shqipëri FSK-ja ka edhe skuadra të tjera në gatishmëri që janë në Kosovë.
“Në Shqipëri për momentin kemi një kontingjent prej 32 pjesëtarëve të FSK-së në role të ndryshme në kuadër të operacionit të fikjes së zjarreve atje. Angazhimi i tyre është bërë nga departamenti i operacioneve dhe prej zinxhirit komandues të FSK-së. Përveç kontingjentit prej 32 pjesëtarëve në Shqipëri FSK-ja ka edhe skuadra të tjera në gatishmëri që janë në Kosovë dhe në rast të çfarëdo lloj fatkeqësie FSK-ja është e gatshme të reagojë”, tha Koqinaj.