Dëshmitari i nëntë i mbrojtjes së Salih Mustafës, Nuredin Ibishi, i njohur si komandant Leka, të martën e ka përfunduar deklarimin e tij në Hagë, me ç’rast u përgjigj në pyetje të mbrojtjes, prokurorisë dhe mbrojtjes së viktimave.
Gjykimi ndaj Salih Mustafës pritet të vazhdojë nesër me dëshminë e dëshmitarit të dhjetë.
Ibishi thotë se kur ishte deputet pa vullnet ka votuar pro miratimit të Gjykatës Speciale dhe se ishin para dy dilemave
(Përditësuar, ora 17: 43)- Dëshmitari i nëntë i mbrojtjes, Nuredin Ibishi, i njohur si komandant Leka, në gjykimin ndaj Salih Mustafës në Hagë, ka deklaruar se pa vullnet ka votuar pro miratimit të Gjykatës Speciale gjatë kohës kur ishte deputet dhe se ishin para dy dilemave.
“E dini fort mirë që kanë qenë akuzat për trafikim organesh, ndërkaq në hetimet preliminare të Williamson osht konstatu e dini fort mirë Shpija e Verdhë dhe akuzat që janë bërë dhe mbaron raporti i Willimason se nuk ka trafikim të organeve, por diçka tjetër”, tha dëshmitari.
Tutje, tha se kur Bosnja e Hercegovina e kanë ngritur çështjen e Srebrenicës në Asamble dhe me lobin pro rus e pro serb, e pro bjellorus, është refuzuar kërkesa e tyre për miratimin e rezolutës për gjenocid.
Ndërkaq, tha se lehtësisht është miratuar rezoluta për krimet e pretenduara të UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Atëherë kur isha deputet kam pas një shtojcë të them me bo një ndryshim që të luftohen të gjitha krimet që janë kryer në Kosovë, jo vetëm ato të pretenduara ndaj ushtarëve të UÇK”, tha Ibishi.
Tutje, ai tha se ka votuar pa vullnet për krijimin e gjykatës, pasi ishin para dy dilemave, a ta miratojnë dhe të gjykohen edhe vendet demokratike si Bashkimi Evropian apo të shkojë në Kombet e Bashkuara dhe të vijnë regjimet e Rusisë e Kinës dhe për këtë arsye ishte vota pro.
Fillimisht, dëshmitari Ibishi, pas një pauze, duke u përgjigjur në pyetje të prokurorit Cezary Mihailzcuk, ka deklaruar se sa ka njohuri, para mobilizimit të tërësishëm më 27 prill 1999, njësiti BIA nuk ka marrë pjesë në luftime.
Ndërkaq, u pyet nëse ka njohuri lidhur me një operacion të forcave serbe në rajonin e Gollakut në prill të vitit 1999, e ai konfirmoi këtë. Ndërkaq, tha se ka njohuri për krimet makabre që kanë ndodhur nga forcat ushtarake e paramilitare serbe nga Koliqi deri në Llukar.
Tutje, prokurori i tregoi një dëshmi dëshmitarit të Fatmir Sopit para trupit gjykues.
“Fatmir Sopi ka përmendur që BIA ka marrë pjesë në operacione luftarake. Pyetja a ju kujtohet që i keni thënë gjykatësit hetues dhe a është e vërtetë ajo që keni ditur për atë njësit. Përgjigja: po ja thash këtë gjykatësit hetues dhe po e përsëris që këto detyra janë ushtruar edhe nga njësitet guerilase të BIA-s dhe ajo ka shërbyer si furnizues jo vetëm për zonën operative të Llapit, por edhe njësitet tjera dhe kur ishte e nevojshme kanë marrë pjesë në luftime në betejat nga njësitet e brigadës 153 apo çfarëdo njësiti tjetër që ka marrë pjesë në beteja”, tha prokurori.
Kurse, tha se Salih Mustafa ka deklaruar se kur qëndronin për një ditë, dy apo tre, apo kur kanë ndihmuar në luftime, njerëzit që merrnin në luftime, pavarësisht a ishin 10 apo 30 persona, do të visheshin me uniformë, por bereta nuk ishte pjesë e uniformave për ushtarë.
Më pas, prokurori e pyeti nëse vazhdon t’i qëndrojë mendimit se ushtarët e BIA-s nuk kanë marrë pjesë në luftime ushtarake.
“Përveç asaj çka e kanë pas detyrën dhe mandatin, përveç datës 27 e tutje, unë nuk kam ditë për këto rastet të BIA-s që ka marrë pjesë në operacione luftarake me uniformë. Kjo pjesa e fundit për mu osht e paqartë po sido të jetë mendoj se BIA nuk ka pas mandatin të jetë pjesë e uniformuar në zbatimin e detyrave të veta në kuadër të pjesës urbane. Kjo pjesa po flet për pjesën rurale, tash këtu megjithëse është strukturë e paarmatosur, për këtë arsye e kam të paqartë në përkufizimin e krejt saj”, ka thënë dëshmitari.
Tutje, tha se e lidhë datën nga 27 prill që është bërë mobilizimi i tërësishëm është edhe mundësia që BIA të jetë e uniformuar dhe armatosur pasi është urdhri i tërësishëm për mobilizim, por se para kësaj date e ka të paqartë këtë çështje dhe nuk ka koment në kuptim të asaj.
Kurse, në vijim, iu tregua një pjesë e deklaratës së Ibishit dhënë prokurorisë, ku fliste për të paktën dy vende të tjera të ndalimit përveç asaj të Llapashticës.
“Në këto rreshta flitet për disa të ndaluar që u zhvendosën nga Llapashtica dhe prokurori u pyet pse u hoqën prej andej, pse u zhvendosën nga Llapashatica për t’u çuar në Majac dhe Potok, cila ishte arsyeja që u lëvizën. Ju u përgjigjët sepse do të ishin vrarë. A i folët prokurorit për ekzistencën e këtyre dy vendeve tjera në Majac dhe Potok”, pyeti prokurori.
“Flitet për një vend, për mbajtje të personave, edhe ai mund të lëviz prej sikurse është zhvillu zona prej Majacit në Llapashticë, flitet për një vend mbajtje, mirëpo me lokacion të ndryshëm, nuk flitet për dy vendmbajtje në të njëjtën kohë”, tha ai.
Tutje, Ibishi shtoi se është bërë transferimi prej një vendi në tjetrin.
“Njëra ka qenë për shkak të zgjerimit të operacioneve që e kemi zgjeru territori, por edhe në raste kur kemi bërë tërheqje prej sulmeve serbe për të mos rënë viktimë personat e mbajtur”, sqaroi dëshmitari Ibishi.
Dëshmitari theksoi ka pasur momente që kur janë zgjeruar kanë ardhur nga Majaci dhe zhvendosur në Llapashticë dhe kur bëhet ofensiva e madhe e serbëve, bëhet tërheqja e lokacionit, qendrës së mbajtjes nga Llapashtica në Potok.
Sërish, ai tha se nuk mbaheshin lokacionet në të njëjtën kohë dhe se ka qenë ose Majaci ose Llapashtica apo Llapashtica ose Potoku, ku ka qenë vetëm një qendër e mbajtjes për kohën e caktuar.
Sipas prokurorit, në çështjen Latif Gashi e të tjerët, dëshmitari Ibishi kishte deklaruar diçka sa i takon një vendndodhje të katërt ku mbaheshin personat e ndaluar nga UÇK në zonën operative të Llapit.
“Kryegjykatësi ju pyeti po për Bajgorën dhe Milovan Stankoviq dhe përgjigja juaj ishte ky ishte një burrë që u kap në aksion e sipër, u informova që erdhi në pozicionet tona, u kishte treguar armën ushtarëve dhe mendoj se do ta konsideronte veten me fat që s’ndodhi asgjë sepse ushtarët nuk e kuptonin gjuhën e tij, por në fund asgjë nuk ndodhi dhe ai u çua në Bajgorë. Pastaj vijon në faqen tjetër, faqe 12, kryegjykatësi pyet a kishte ndonjë njeri tjetër që u mbajt i ndaluar në këtë kohë në Bajgorë dhe përgjigja juaj ishte po kishim edhe Fadil Syleviqin që u mbajt në flagrancë e të tjerë i mbajtëm të ndaluar sepse dyshonim që po përpiqeshin të bënin struktura paralele kishin armë… kur i sollën atje i takova…”, lexoi tutje prokurori.
Tutje, prokurori tha se me sa duket ishin disa persona që mbaheshin të ndaluar në Bajgorë dhe në vijim u dhe një pjesë e dëshmisë të tij për Bajgorën.
“Është një pyetja nga gjykatësi hetues që ju drejtohet juve zoti Ibishi ishte si në vijim: a kishit dijeni për ndonjë civil që mbahej i ndaluar në Bajgorë aso kohe. Ju u përgjigjët, jo civil por kam dëgjuar për një grup ushtarët të paautorizuar, mund të jetë UÇK që vepronin në pjesën lindore të Prishtinës, që u arrestuan e çuan atje, ndër të ndaluarit ishin Fadil Syleviq që tani quhet Fadil Syla dhe Islam Shica”, tha ai tutje.
Prokurori tha se pavarësisht periudhave kohore, dëshmitari në të gjitha deklaratat flet për ekzistencën e disa vendndodhjeve ku mbaheshin të ndaluar persona, dhe e pyeti se a është kështu.
“Dëshmia ime osht se zona operative e Llapit e ka pas një vend për mbajtje të personave, vetëm në kohëra të ndryshme”, tha Ibishi.
Ndërkaq, gjykatësja Mappie Veldt- Foglia i tha se dëshiron të di nëse në këto katër vende janë mbajtur të ndaluar persona dhe nuk dëshiron të dëgjojë për zhvendosjen e vendeve të ndalimit dhe se dëshiron të përgjigjet nëse mbaheshin persona të ndaluar atje.
“Dua të shpjegoj se në kohëra të ndryshme, kemi pas vetëm një vendmbajtje”, tha sërish dëshmitari Ibishi.
Gjykatësja tha se për të “po” mjaftonte dhe se e kanë marrë parasysh çështjen e periudhave të ndryshme kohore dhe ka vënë re këtë pjesë të deklaratës së tij.
Ndërsa, Ibishi tha se procedurën gjyqësore në këtë rast e ka përcjellur, kurse i pyetur se cilët dëshmitarë i ka dëgjuar, ai tha se pjesërisht i ka ndjekur, si dhe përmendi se ka ndjekur dëshminë e Brahim Mehmetaj, të Fatmir Humollit pjesërisht.
“Këta dy nuk më kujtohen, tjerët, kam qenë pak i ngarkuar kohës së fundit”, tha ai.
Prokurori e pyeti nëse e ka ndjekur dëshminë e Kapllan Parduzit, kurse dëshmitari tha se e ka ndjekur një pjesë, një sekuencë.
Ndërsa, i pyetur se si do të përshkruante marrëdhëniet që ka me Parduzin, tha se ka marrëdhënie si bashkëluftëtar dhe mik dhe kanë kaluar çaste të përbashkëta dhe një moment që e lidhë me të është se një herë e ka harruar këmishën mbrojtëse dhe Parduzi i kishte dhënë të veten.
“Është një moment i sakrificës së tij që me atë potez më ka mbrojtë, se po se kisha atë nuk do të isha gjallë dhe ai pësoi”, tha dëshmitari Ibishi, si dhe konfirmoi se e konsideron mik të njëjtin.
Ndërkaq, hera e fundit që e ka takuar Parduzin, ai tha se ishte në Prishtinë, në një manifestim, ku u zbulua një pllakë përkujtimore, ku është mbajtur një ceremoni. Kjo sipas tij ka ndodhur ndoshta para dy apo tri jave, apo më pak.
Ky dëshmitar tha se çështjen e Salih Mustafës e ka diskutuar me Parduzin, ku kanë diskutuar shkurtimisht si po ecën procesi pasi nuk kishin kohë të mjaftueshme për të diskutuar më gjatë.
Tutje, tha se e di që Parduzi ka dhënë dëshmi për mbrojtjen, si dhe anasjelltas, që Parduzi di për dëshminë që Ibishi ka dhënë për mbrojtjen, por se nuk i kanë diskutuar me detaje të njëjtat.
I pyetur se çfarë marrëdhënie ka me Salih Mustafën, ai tha se janë bashkëluftëtar dhe asgjë nuk kanë personale dhe se e njeh si bashkëluftëtar dhe ka respekt për të edhe si veprimtar i çështjes kombëtare.
“Nuk kam shoqërim me të që të them e kam mik. Nuk kam shoqëri që dal pi kafe a diçka, jam bashkëluftëtar me të, asgjë s’kam më të madhe”, tha dëshmitari Ibishi.
Ai tha se armik nuk e ka dhe se as shoqërim të vazhdueshëm me të nuk ka dhe shtoi se nuk e ka takuar para arrestimit të tij.
“Kem mujt me u taku se Prishtina osht e vogël, takohemi kalimthi, përshëndetemi, nuk kam pas takim të veçantë me të”, tha Ibishi.
Ndërkaq, tha se ndaj lajmit të arrestimit të Mustafës ka reaguar me keqardhje.
“Po mendoj një pjesë të ushtrisë, ky është procesi i pestë, katër në Kosovë, ky i pesti, nejse tri në Kosovë dhe dy jashtë. Na prej rolit të viktimës po kthehemi si agresor dhe kjo po shkon në pafundësi”, tha ai.