Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës(FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, i shoqëruar nga Komandanti i Gardës Kombëtare të shtetit të Ajovës (Iowa), gjeneral major Timothy Orr, po qëndron për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës(ShBA).
Gjatë vizitës, gjenerallejtënant Rrahman Rama i shoqëruar nga një delegacion i FSK-së ka zhvilluar takime të nivelit të lartë në Departamentin e Mbrojtjes, në Departamentin e Shtetit dhe në Kongresin amerikan.
Gjeneral Rama fillimisht është takuar me kongresmenet Paul Cook dhe Steve King si dhe me zëvendëskomandantin e Byrosë së Gardës Kombëtare të SHBA-ve, gjenerallejtënant Dan Hokanson. Më pas gjeneral Rama është takuar edhe me ndihmës sekretaren e Mbrojtjes për Rusi, Ukrainë dhe Euro-Azi, Laura Cooper.
Komandanti i FSK-së, gjeneral Rama i shoqëruar edhe nga ambasadorja e Kosovës në ShBA, ka mbajtur një takim edhe me Matt Palmer, drejtor i Zyrës për Çështje të Evropës Jug-Qendrore në Departamentin e Shtetit.
Komandanti i FSK-së, në të gjitha takimet e tij ka ritheksuar partneritetin dhe mbështetjen që SHBA po i jep FSK-së në zhvillimin dhe profesionalizimin e saj në të gjitha fushat. Ai po ashtu ka informuar nivelin e lartë të Mbrojtjes të SHBA-ve lidhur me procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura(FAK).
Me rastin e vizitës së gjeneral Ramës, ambasadorja e Kosovës në SHBA zonja Vlora Citaku, në mjediset e Ambasadës së Republikës së Kosovës, ka organizuar koktej mirëseardhjeje për delegacionin, ku ishin të ftuar edhe atashetë e vendeve fqinje të Kosovës të akredituar në SHBA.
Me këtë rast, komandanti i FSK-së gjeneral Rama dhe atasheu i FSK-së në SHBA kolonel Ilir Qeriqi, i falënderuan mysafirët për mbështetjen dhe raportet e mira në kuadër të bashkëpunimit dhe koordinimit të aktiviteteve.
Në kuadër të kësaj vizite KOMFSK ka takuar edhe pjesëtarët e FSK-së dhe të Gardës Kombëtare të Ajovës, të cilët ishin pjesëmarrës në vrapimin vjetor tradicional të Ushtrisë Amerikane “10 miler”.
Gjatë vizitës në SHBA, komandantin e FSK-së po e shoqërojnë atasheu i FSK-së në SHBA kolonel Ilir Qeriqi, atasheu i SHBA-së në Kosovë kolonel Jeffry Fischer, shef i Kabinetit të Komandantit të FSK-së kolonel Jeton Dreshaj si dhe asistenti ushtarak i komandantit kapiten Jaser Mulla.
Gjate ditëve të ardhshme gjeneral Rama do të ketë aktivitete në kuadër të AUSA-s, një mundësi e mirë kjo për të parë dhe konceptuar sfidat e së ardhmes në teknologji dhe pajisje të sofistikuara ushtarake. Po ashtu do të ketë mundësi të takoi shumë shefa të shtabeve të ushtrive të rajonit dhe të botës.
Qëllim i vizitës është thellimit dhe zgjerimit i bashkëpunimit në mes të Ushtrisë Amerikane dhe FSK-së.
Komandanti i FSK-së e ka filluar vizitën e tij në SHBA që nga data 04 tetor 2017 dhe pritet ta përfundoi më datë 12 tetor 2017.