Komandanti i KFOR-it, Angelo Michelle Ristuccia, duke folur për gjendjen në veri tha se po të mos ndërhynte KFOR-i në Zveçan, “tani do të ishim duke mbajtur zi për të vdekurit”.
Ai ka thënë se në Zveçan ka pasur njerëz të cilët “me qëllim e kanë nxitur turmën” e banorëve serbë të cilët janë mbledhur prej katër ditësh para objektit komunal, tha ai në “La Republica”.
Rreth 30 ushtarë të KFOR-it kanë mbetur të lënduar gjatë përplasjeve me protestuesit serbë, para objektit të Komunës së Zveçanit.
Njëmbëdhjetë ushtarë janë të kontingjentit italian dhe 19 të tjerë janë të kontingjentit hungarez.
Situata në veri të vendit është tensionuar nga dita e premte, kur Policia e Kosovës asistoi kryetarët e zgjedhur të komunave në veri, që të hynin në zyret e tyre në objektet komunale, meqë qytetarë serbë kishin bllokuar hyrjen para objekteve.