Komandanti i KFOR-it, Ulutas, i shkon në zyrë Kurtit: Do t’i përgjigjemi çfarëdo situate sipas mandatit tonë nga OKB-ja

Prishtinë | 13 Gus 2024 | 23:40 | Nga Ekonomia Online

Misioni i KFOR-it ka dalë me një reagim pas takimit që zhvilloi komandanti Ozkan Ulutas me kryeministrin Albin Kurti, ku u diskutua për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit.

Në njoftim thuhet se Komandanti i KFOR-it ka autoritetin për të përshtatur praninë sipas nevojës dhe se nuk do të hezitojë të veprojë në përgjigje të çdo zhvillimi të sigurisë.

“Ne kemi një prani të dukshme dhe fleksibël në mbarë Kosovën dhe komandanti i KFOR-it ka autoritetin për ta përshtatur atë sipas nevojës dhe nuk do të hezitojë të veprojë në përgjigje të çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”.

Nga KFOR kanë ripërsëritur se çdo vendim lidhur me urën, duhet të merret përmes dialogut.

“KFOR-i gjithashtu mban një prani fikse në urën kryesore mbi lumin Ibër/Ibër, në Mitrovicë dhe kryen patrullime të rregullta në zonat përreth. Rikonfirmojmë se çdo vendim në lidhje me urën mbi lumin Ibër duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar. Në këtë drejtim, ne vazhdojmë të mbështesim plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Është thelbësore që të gjithë aktorët të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione. Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën – për të mirën e të gjithë njerëzve dhe komuniteteve – dhe për stabilitetin rajonal”, thuhet në komunikatën për medie.

KFOR shtoi se do të vazhdojë të koordinohet ngushtë me të gjithë homologët, përfshirë Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), si reagues të parë, përkatësisht të dytë të sigurisë.

“KFOR është i pajisur mirë dhe i pozicionuar mirë për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të vazhduar përmbushjen e misionit të tij të mandatuar nga OKB-ja”, u tha në reagim.

Në fund thuhet se KFOR-i ka burime të mira dhe është i pozicionuar mirë për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të vazhduar përmbushjen e misionit të tij të mandatuar nga OKB-ja.

Për takimin njoftoi fillimisht Zyra e Kryeministrit. Në njoftimin e lëshuar thuhet se Kurti e ka njoftuar Ulutas mbi punët e përgjithshme që po zhvillohen në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe rezultatet nga raporti preliminar i vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës.

“Në kuadër të hapave të nevojshëm të ndërmarrë nga Qeveria për hapjen e urës, ai rikujtoi dhe takimin publik me qytetarët e Mitrovicës së Veriut, të organizuar më 8 gusht nga komuna e Mitrovicës së Veriut e ku të pranishëm ishin qytetarë nga komuniteti serb, organizata joqeveritare dhe përfaqësues nga niveli qendror e lokal si dhe KFOR-i dhe EULEX. Kryeministri u shpreh i bindur se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit, paqja dhe siguria janë të gjitha të mundura bashkë dhe të duhura”, thuhet në njoftim.

Në njoftimin e ZKM-së nuk jepet me asnjë fjali qëndrimi i komandantit të KFOR-it.

Më herët gjatë ditës, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, tha ambasadori amerikan.

“Shpresa jonë është që Qeveria do ta dëgjojë këtë dhe do t’i marrë parasysh këto shqetësime”, shtoi ai.

Të ngjashme