Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutas, në kuadër të një edicioni special intervistash me aktor të rëndësishëm të sigurisë, politikës e medias, ka folur për Veriun, aspektet e sigurisë dhe për sfidat e vitit 2024.
Ulutas ka dhënë garancinë e tij se KFOR-i do të vazhdojë përpjekjet për t’i parandaluar eskalimet dhe se ushtarët e misionit të NATO-s janë të gatshëm t’i përgjigjen çdo sfide.
Komandanti turk ka thënë se presin nga Kosova që të respektohet kërkesa për njoftim paraprak të tij si komandant i KFOR-it para çdo vendosje të FSK-së apo njësive speciale të Policisë së Kosovës në Veri që mund të ketë ndikim në sigurinë e rajonit.
Ulutas i pyetur për Veriun, është shprehur se KFOR i merr shumë seriozisht incidentet në Veri, të më hershmet dhe gjithashtu edhe sulmin në Banjskë dhe potencon se presin që autorët të vihen para drejtësisë. Ushtaraku turk që ka KFOR-in nën komandën e tij ka folur edhe për vizitën që ka pasur në Serbi dhe takimin me shefin e ushtrisë serbe atje.
Në fund sa i përket sfidave të vitit 2024, Ulutas ka thënë se KFOR zotohet se përmes përpjekjeve të përditshme të vazhdojë të ofrojë kornizën e sigurisë në mënyrë që dialogu i lehtësuar nga BE-ja në mes të Prishtinës dhe Beogradit të ecë përpara.